Kombëtarja e Kosovës e ka kryer seancën e fundit stërvitore para duelit me Moldavinë, që zhvillohet sonte në orën 20:45. Kjo njëherësh është ndeshja hapëse për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
Në konferencën për mediat vendore, e cila u mbajt nëpërmjet platformës online “Zoom”, Challandes shprehu optimizmin për nismë të mbarë të ciklit të ri të garave.
Challandes vuri në pah se Moldavia është një test i rëndësishëm për Kombëtaren tonë, derisa theksoi se do të hyjnë për ta fituar këtë ndeshje.
“Ndaj Moldavisë luajmë për fitore. Është një ndeshje garuese dhe në ndeshje të tilla është e qartë se luajmë gjithmonë për fitore. Pa dyshim është një test i mirë për ne, prandaj është e rëndësishme që përveç lojës së mirë edhe të fitojmë”, ka theksuar Challandes, njofton, ndër tjerash, FFK.