Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku – Rexhepi deklaroi se Kosova po vazhdon të ketë arsim të dobët, e një pjesë të fajit për këtë sipas saj e ka Ministria e Arsimit. Sipas saj, arsimi po vazhdon vetëm me sasi dhe se, sipas saj, nuk ka mbetur askush pa fakultet.
Por fjalët e deputetes, Valentina Bunjaku- Rexhepi nga radhët e LDK-thënë në parlament, nuk i kanë pëlqyer zyrtarëve të PDK-së, pasi ka reaguar Koordinatorja e Komisionit për Arsim nga radhët e PDK- së në Gjilan, Mimoza Shkodra.
Përndryshe, sipas deputetes Bunjaku – Rexhepi MAShT ka dështuar në shumë çështje, ku arsimi po vazhdon me cilësi jashtëzakonisht të dobët në të gjitha nivelet. Arsimi po vazhdon me sasi saqë nuk mbeti askush pa fakultet. “Është mirë në njërën anë që të gjithë po dalin me diploma, por vije në pyetje se çfarë diploma dhe çfarë kuadro po nxjerrin këto universitete. Arsimi nuk përputhet aspak me tregun e punës, shpesh mungojnë kuadrot profesionale në fusha të ndryshme të specializuara, ndërsa kemi kuadro tepricë. Nuk ka logjikë kur nuk përputhet arsimi me tregun e punës. Nuk ka zë brenda dhe jashtë vendit, përfshirë edhe Komisionin Evropian që nuk thotë se arsimi është uzurpuar nga partia në pushtet”, ka theksuar ajo.
Valentina Bunjaku- Rexhepi ka thënë ndër tjerash edhe se vetëm në raportin e fundit të Komisionit Evropian nuk ka akuzë më të madhe sesa të thuhet se arsimi i lartë mbetet një sektor me rrezik të lartë për korrupsion dhe ndikim politik.
Por, pas fjalës së deputetes gjilanase, Valentina Bunjaku- Rexhepi nga radhët e LDK- në parlamentka ardhur një reagim nga koordinatores së Komisionit për Arsim nga radhët e PDK- së në Gjilan, Mimoza Shkodra.
“Deputete, Ashtu si thua ti është por, dua të them edhe unë diçka: Ndoshta edhe të kishim besua diqysh për këtë që po e thua, po të mos e kishit vu pikërisht ju LDK gurëthemelin e dështimit të arsimit në Kosovë me dy ministrat e juaj (Rexhep Osmani 2001 – 2004 dhe Agim Veliu 2004 – 2007). Po ashtu edhe para më shumë se një vit, raporti i progresit të BE për Kosovën thoshte: “Kosova, në dy fusha nuk e ka bë asnjë progres – në ambient dhe në edukim”. Po ju kujtoj deputete se në këtë periudhë 18 mujore të shqyrtimit, kryeministër ishte Isa Mustafa, kryetari i LDK. Është e vërtetë se të gjithë ata që e qeverisën arsimin deri tani, i bënë shërbim të keq atij por, duhet thënë troç se shërbimin më të keq të mundur arsimit në Kosovë ia bëri pikërisht LDK me dy ministrat e parë të MASHT pas vitit 1999, dhe po ashtu edhe po vazhdon me ministrin e tanishëm”, thuhet në reagimin e Mimoza Shkodrës së PDK-së.