Janë 80 të rinj gjilanas që shfrytëzuan mundësinë e shkëlqyer për t’u trajnuar në fushën e teknologji informative, përmes trajnimi që ka ofruar InfoTech Academy në Gjilan dhe Xpertt LLC. Ishte ky një trajnim me të veçantën e saj, mësimin teorik, kryerjen e praktikës, e më pas edhe mundësinë që të zbatohen menjëherë këto njohuri të fituara, përmes mundësisë së punësimit nëpër kompani të ndryshme të profilit të teknologjisë informative.
Për më tepër, ky trajnim për të rinjtë ishte falas përmes një projekti që u mbështet nga: YOU Program, KODE, Ministria e Ekonomisë, financuar nga Banka Botërore.
Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë edhe Luan Asllani dhe Sara Shëndeti, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, projektit KODE, të cilët vlerësuan shumë të rinjtë gjilanas për interesimin e shfaqur dhe angazhimin e tyre për ta përmbyll suksesshëm këtë trajnim gjashtëmujor.
Ata, këtyre të rinjve, u kanë dëshiruar suksese, avancime të mëtutjeshme dhe zbatueshmëri të dijës së fituar edhe duke konkurruar dhe u punësuar në fushën përkatëse.
Nga ana e tij, Burim Sherifi, CEO i Infotech Academy ka bërë të ditur për Portalin 2LONLINE, se u nda i kënaqur me këta të rinj që ndoqën këtë trajnim në Programin Network Administrator e ku ishin të përfshira trajnimet, Networking, Systems, Virtualisation dhe Automation.
Me të rinjtë punuan instruktorët e InfotTech Academy dhe praktika u bë me inxhinierët e Xpertt LLC.
Përndryshe, Burim Sherifi ka bërë me dije se, me t’u përmbyllur trajnimi i dy grupeve të para, InfoTech Academy ka mbajtur tani më testin pranues edhe për grupet III&IV të programit Network Administrator – Gjilan.
Gëzon fakti se të rinjtë e Anamoravës janë shumë të interesuar dhe kjo u pa nga numri i madh i aplikantëve pjesëmarrës në provim.
Ai bëri me dije se të gjithë kandidatët që keni kaluar testin mbi 80 poenë do të thirreni në intervistë me gojë në ditët në vijim.
Edhe trajnimi për këto dy grupet e reja është mbështetur nga: YOU program, KODE, Ministria e Ekonomisë, financuar nga, The World Bank. /2LONLINE/