Në kazermën “Adem Jashari’’ të Forcës së Sigurisë së Kosovës sot u zhvillua ceremonia e certifikimit të pjesëtarëve të FSK-së dhe Policisë së Kosovës. Ky certifikim i përket ciklit të dytë të trajnimit dyjavorë, me temë: “Menaxhimi i traumës taktike (Ndihma e parë e avancuar)”.
Trajnimi është mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkatësisht Zyra për Mbështetje Civile Ushtarake ( CMSE ). Trajnimi është zhvilluar nga instruktorët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. U certifikuan 20 pjesëmarrës në trajnimin në fjalë, 15 oficerë policie të njësisë kufitare dhe 5 pjesëtar të FSK-së.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm: ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, zëvendësministri zotëri Burim Ramadani, ambasadori i SHBA-ve, zotëri Greg Delawie, komandanti i Forcave Tokësore të FSK-së, gjeneral Enver Cikaqi, zëvendëskomandanti i KFT-së, gjeneral Xhevahir Geci, shefi i Departamentit mjekësor në MFSK, kolonel Dr. Xhevdet Tahiraj, si dhe oficerë të FSK-së, KFOR-it e mysafirë të shumtë.
Në fjalën e tij, ministri Berisha tha se “i përgëzoj 15 pjesëtarët e Policisë kufitare të Policisë së Kosovës, në mesin e të cilëve janë edhe 3 pjesëtarë të komunitetit jo shumicë dhe pjesëtarët e FSK-së të cilët përfunduan këtë trajnim dyjavorë në lëmine e mjekësisë. Gjithashtu i përgëzoj edhe trajnerët e FSK-së, të trajnuar më parë nga Ushtria Amerikane(Bondstill), sipas standardeve të NATO-s, gjithnjë të përkrahur nga Ambasada e SHBA-ve, institucion mik ky që ka ndihmuar edhe konkretisht me pajisje për nevoja të mbarëvajtjes së këtij trajnimi” . Në fund të fjalës së tij, ministri Berisha tha se ,, kjo formë e organizimit të trajnimeve i ngritë nivelet profesionale dhe ndërveprueshmërinë ndërmjet institucioneve të sigurisë në vend’’.
Ambasadori amerikan, Greg Delawie fillimisht i uroi të gjithë pjesëtarët e certifikuar si dhe i përgëzoi organizatorët dhe instruktorët për angazhimin dhe kontributin në përfundimin me sukses të kursit. Ai gjithashtu theksoi se njohuritë dhe shkathtësitë e fituara shpresoj të mos i aplikoni asnjëherë: ,,Ju gjatë dy javëve të shkuara keni arritur t’i mësoni shkathtësitë thelbësore për menaxhimin e traumave edhe pse shpresoj që kurrë te mos jeni në pozitë që do t’ju duhet t’i përdorni këto shkathtësi… Tani, të gjithë dini si ta vlerësoni një pacient dhe ta trajtoni atë derisa të arrijë ndihma mjekësore, ju jeni të përgatitur për të shpëtuar jetë’’.
Në kursin e Menaxhimi i ë traumës taktike në teori dhe praktikë u zhvilluan disa prej temave si: Kujdesi taktik luftarak i viktimës; Kontrollimi i gjakderdhjes; Hapja dhe menaxhimi i rrugëve të frymëmarrjes; Trajtimi i plagëve shpuese në kraharor; Kërkesa për evakuim mjekësor; Zhvendosja taktike e viktimës; Evakuimi i viktimës me barelë; Imobilizimi i frakturave; Qasja venoze; Lëndimet nga të ftohtit / Lëndimet nga nxehtësia; Sulmi në zemër – defibrilatori (AED); Reanimimi kardiopulmunar (RKP); Sulmi në tru; Epilepsia; Astma; Inicimi i kartelës shëndetësore, etj.
Në fund u ndanë certifikatat për të gjithë pjesëtarët që përfunduan trajnimin si dhe për instruktorët që zhvilluan trajnimin.