Komiteti Olimpik i Kosovës do të organizojë edicionin e katërt të ceremonisë “Laureatët 2019”, në të cilën bëhet përzgjedhja e më të suksesshmëve për vitin që lamë pas.
Edhe këtë herë do të zgjedhen: Sportistja dhe Sportisti i Vitit, Trajneri, Çmimi Special, Shpresat, si dhe Kombëtaret më të Suksesshme.
Ceremonia e “Laureatëve 2019” mbahet më 27 shkurt 2020 në Hotel Emerald në Prishtinë, me fillim në ora 19:30.
Ndër mysafirë të shumtë nga institucionet shtetërore e sportive të vendit, i pranishëm do të jetë edhe presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF), Marius Vizer, njëherit mik i madh i Kosovës dhe njëri nga kontribuesit më të mëdhenj në anëtarësimin e Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Krahas ceremonisë, Vizer do të përurojë edhe shtatoren e kampiones Olimpike, Majlinda Kelmendi, përurimi i së cilës do të bëhet më 28 shkurt në Pejë, me fillim në ora 11:00.