Ne shenjë respekti dhe mirënjohje të thellë për kontributin e dhënë gjatë shërbimit të kolonelit Stephen Rose, në detyrën e tij si atashe i Mbrojtjes së SHBA-së, në Ministrinë e Mbrojtjes u mbajt një ceremoni lamtumirëse.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin: Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zëvendësministrat e Mbrojtjes, Shemsi Syla dhe Adnan Redzeplar, zyrtarë e oficerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, zyrtarë nga Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT), KFOR-i, si dhe të ftuar të tjerë.
Me këtë rast, në vlerësim të shërbimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm në rolin e tij si atashe i mbrojtjes, në rritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, Ministri Mehaj e dekoroi kolonelin Rose me Medaljen për Shërbim të Shquar.
Ndërsa, me motivacion për performancë të shkëlqyeshme dhe mbështetje të jashtëzakonshme profesionale, gjatë kryerjes së detyrës, gjeneral Jashari, i ndau kolonelit Rose Medaljen për Shërbim Vetëmohues. Koloneli Rose u vlerësua lart për vizionin strategjik, udhëheqjen dhe përkushtimin e tij, të cilat kanë ndikuar fuqishëm në zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Nga ana e tij, koloneli Rose, shprehu mirënjohjen e thellë për shërbimin në Kosovë dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në në të gjitha fushat, bashkëpunim ky i bazuar në objektivitet dhe transparencë të plotë. /2LONLINE/