(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i cili shoqërohej nga shefi i Kabinetit Arbër Ismaji dhe drejtori i DZHE-së Ismail Januzi, është pritur sot me lule nga pronarët e kompanisë “Çeliku”, si shenjë falënderimi për kujdesin që po e tregon në ndihmë kompanive të Gjilanit.
Pronari i kësaj kompanie Gazmend Alidema tha se Haziri është shembull se si duhet dhënë mbështetje kompanive vendore.
“E falënderoj kryetarin e Komunës Lutfi Hazirin për vizitat e tij, për përkrahjen e vazhdueshme që ka treguar ndaj bizneseve dhe konkretisht ndaj biznesit tonë dhe shpresoj që në Komunë, në kushte të barabarta, t’u jepet punë bizneseve gjilanase. Shpresoj, poashtu në formimin sa më të shpejt të institucioneve qendrore dhe apetoj që për investimet e tyre t’i japin përparësi kompanive kosovare”, ka thënë pronari i “Çelikut”, Gazmend Alidema.
Nga ana e tij, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri ka thënë se pas dhjetë muajsh, po e viziton këtë sërish këtë kompani që është shembull i suksesit të madh dhe që po gjeneron qindra vende të punës.
“E vizituam sot kompaninë “Çeliku” për të parë nga afër punimet që bëhen këtu. Duke pasur parasysh suksesin e familjes Alidema në Gjilan, e cila, e ushtron këtë veprimtari, mund të them lirisht që heronjtë e pasluftës definitivisht konfirmohen që janë ata që krijojnë vende të punës. Nga hera e fundit që e kam vizituar për herë të fundit këtë kompani gjendja ka qenë jashtëzakonisht e nevojshme të shihet sepse kapaciteti i konstruksioneve të “Çelikut” çfarë ka sot teknologjia e kësaj kompanie, ka mundësi të mbulojë shumëçka, të prodhoj dhe të konstruktoj çdo lloj mekanizimi për çka është e destinuar kjo ndërmarrje”, është shprehur Haziri.
Haziri ka theksuar se shumë i interesuar që të jem afër bizneseve sepse zhvillimi ekonomik është në duar të ndërmarrjeve private.
“Fatkeqësisht edhe më tutje operatorët jashtë Kosovës janë konkurrent jo real dhe ata që edhe më tutje po e kufizojnë mundësinë që kjo fabrikë të gjenerojë edhe më shumë vende të punës, përkundër që u pa që është në funksion dhe e falënderoj shumë pronarin sepse qindra vende të punës në Gjilan janë jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin e jetës dhe ekonomisë. Duke e marrë një shembull të mirë edhe në këtë javë, po e ritheksoj se jam shumë i interesuar që të jem afër bizneseve sepse zhvillimi ekonomik është në duar të ndërmarrëve private dhe duhet të gjithë të subordinohemi në mënyrë që me pasë sa më të lehtë angazhimin, procedurat, largimin e çdo lloj burokracie dhe konkurrence joparimore”, ka thënë Haziri.
Kjo është java e tretë që kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri po i viziton bizneset e Gjilanit për t’u dhënë mbështetje të vazhdueshme në operimin sa më të suksesshëm të veprimtarisë së tyre. /2L ONLINE/