(2L ONLINE) – Drejtues të Drejtorisë Komunale për Shërbime Publike kanë thënë se banorët e fshatit kodrinor-malor, Çelik, më nuk do ta ëndërrojnë ndriçimin publik ngase Komuna, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike, e ka bërë realitet këtë shërbim.
Sokol Haziri, drejtor i Shërbimeve Publike, është shprehur se kjo është dëshmi që pushteti aktual është i përkushtuar që të ketë trajtim të barabartë të qytetarëve pavarësisht ku ata jetojnë
“Në këtë fshat kodrinor-malor për herë të parë po bëhet ndriçimi publik dhe kjo është dëshmi që pushteti aktual është i përkushtuar që të ketë trajtim të barabartë të qytetarëve pavarësisht ku ata jetojnë. Kjo është një nga objektivat e katërshes së kryetarit Haziri që po realizohet dhe unë shpresoj shumë që gjatë këtij viti të përmbyllet ky proces që ndriçimi publik të jetë i shtrirë anë e kënd Gjilanit në të gjitha fshatrat dhe lagjet e qytetit”, ka thënë Haziri.
Drejtori i DSHP-së tha se pas ndriçimit publik, Komuna e Gjilanit do të nis rregullimin e rrugës që çon në këtë fshat, në mënyrë që t’u krijohet kushte këtyre banorëve edhe në aspektin e infrastrukturës.
“Është një përkushtim i yni që të punojmë vazhdimisht dhe ky nuk do të jetë projekti i vetëm për këtë fshat. Pas ndriçimit, ne do t’i përkushtohemi rrugës e cila nuk është në gjendje të mirë dhe me kërkesën kemi dalë në vendin e ngjarjes për ta parë gjendjen sepse këta njerëz meritojnë t’u krijojmë kushte edhe në aspektin e infrastrukturës rrugore për të pasur mundësi më të mirë të qarkullimit. Më gëzon fakti që njerëzit e kësaj ane nuk e kanë lëshuar fshatin dhe punojnë në bujqësi e blegtori, duke mos iu bërë barrë qytetit. E ardhmja e Kosovës është fshati sepse mbi 60 për qind e qytetarëve jetojnë në viset rurale”, ka thënë Haziri.
Përfaqësuesi i fshatit Shefket Bajrami është shprehur i lumtur dhe falënderues për këtë investim të Komunës së Gjilanit, duke thënë se banorët e kësaj zone më nuk mendojnë për shpërngulje.
Përndryshe, ofrimi i ndriçimit publik për fshatra vlerësohet lartë por në vet qytetin e Gjilanit ka lagje a rrugë ku nuk ka ndriçim publik, apo ku ka, por nuk janë funksional, qoftë për mospagesë të borxhit për rrymën e harxhuar qoftë për ndonjë prishje. /2L ONLINE/