Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurve A. B. dhe Sh. B.
Ekziston dyshimi bazuar me datë 03 shtator 2019, rreth orës 09:40 minuta, në rrugën “Esat Berisha” në Gjilan, derisa i dëmtuari L. Z. kishte qenë duke e drejtuar automjetin e tij në vijat e këmbësorëve i njëjti ndalet vrullshëm, në ato momente të pandehurit, në shenjë revolte godasin automjetin e tij, e më pas hapin derën e veturës dhe përdorin forcën, duke e sulmuar në pjesë të ndryshme të trupit, derisa vetura ka qenë në lëvizje të ngadalshme, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm edhe për kalimtarët e tjerë.
Me këto veprime të pandehurit dyshohet të kenë kryer veprat penale ‘’sulmi” dhe “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.