Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit N. S.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me dashje dhe me qëllim të ushtrimit të pushtetit dhe kontrollit, cenimit të dinjitetit tek bashkëshortja, tani e dëmtuara F. B. ka shkaktuar dhunë në familje, përmes dhunës psikologjike në kundërshtim me nenin 2 nënparagrafin 3 të Ligjit për Dhunë në Familje.
I pandehuri të njëjtën ditë ka pasur një seancë gjyqësore në Gjykatën Themelore në Gjilan, për shkak të një vepre të mëhershme penale dhunë në familje, me ç’rast është dashur intervenimi i zyrtarëve policorë, pasi që nuk i është përgjigjur ftesës së Gjykatës.
Me këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale dhunë në familje nga neni 248 paragrafi i lidhur nënparagrafin 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që po të lihet në liri mund të përsërisë veprën penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.