Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji ndaj të pandehurve M. J. dhe N. Sh.
I pandehuri M. J., shtetas i Republikës së Kosovës nga Komuna e Parteshit, dyshohet se në zgjedhjet e 22 tetorit, ka paguar faturën e rrymës personit Z. S., në mënyrë që ky i fundit të votojë së bashku me familjarët e tij për kandidaten e cila ka qenë bashkëshorte e të pandehurit.
I pandehuri N. Sh., shtetas i Republikës së Kosovës nga Komuna e Parteshit dyshohet se me 22 tetor ka ndikuar tek qytetarët që të votojnë për kandidatin e një partie të caktuar, madje edhe duke ofruar para në këmbim të votës.
Të dy të pandehurit me këtë veprime dyshohet se kanë kryer veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin, nga neni 215 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.