U mbajt ceremonia e certifikimit të pjesëtarëve të FSK-së dhe kadetëve amerikanë të cilët bashkërisht realizuan kursin për zhvillimin dhe avancimin e gjuhës angleze.
Në kazermën “Skënderbeu” në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj, u mbajt ceremonia e certifikimit të pjesëtarëve të FSK-së dhe kadetëve amerikanë të cilët bashkërisht realizuan kursin për zhvillimin dhe avancimin e gjuhës angleze dhe bashkëpunimin për mësimin e kulturave të ndryshme.
Në këtë ceremoni morën pjesë komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Rrahman Rama, komandanti i Brigadës për Reagim të Shpejtë (BRSH) – gjeneral brigade Nazmi Brahimaj, komandanti i KDS-së – gjeneral brigade Enver Cikaqi, kryetari i Komunës së Ferizaj, Muharrem Sfarqa, Atashehu ushtarak i Ambasadës Amerikane – kolonel Chad Butts, përfaqësues të NLAT (ekipi ndërlidhës këshillues i NATO-s), si dhe oficerë të lartë të FSK-së dhe KFOR-it.
Me këtë rast, Atasheu ushtarak i Ambasadës Amerikane tha se ndihet mirë që sheh se kadetët amerikanë janë krahë për krahë me pjesëtarët e FSK-së dhe se ky program ka shërbyer për të marrë njohuri të reja.
“FSK-ja çdo ditë e më tepër është duke u avancuar dhe kjo më bën të ndihem mirë, ndërsa programi për zhvillimin dhe avancimin e gjuhës angleze – që tashmë është viti i dytë që po realizohet – po jep rezultatet e veta”, shtoi në fund koloneli Butts