Të gjithë qytetarët që vjedhin energjinë elektrike do të dënohen me burg. Amendamenti më i ri i qeverisë ashpërson masat për ata që vjedhin energjinë elektrike, duke e konsideruar këtë vjedhje jo më si kundravajtje penale, por si një krim, i cili dënohet me burg.
Në ligjin ekzistues nuk ishte i qartë përkufizimi për vjedhjen e energjisë, pasi njëherë cilësohej si kundravajtje dhe njëherë si vepër penale. Me ndryshimet që pritet të bëhen me amendamentin e ri, vjedhja e energjisë do të cilësohet përfundimisht si vepër penale. Kështu për konsumatorët familjarë, të cilët vjedhin energjinë, dënimi shkon deri në tre vjet, ndërsa për biznesin shkon deri në pesë vjet. Biznesi e ka dënimin më të lartë, pasi në këtë rast vjedhja e energjisë kryhet për qëllime fitimprurëse tregtare dhe jo për nevoja jetike.
Nga ndryshimet e amendamentit të qeverisë nuk do të shpëtojnë as ata persona që dëmtojnë matësit e energjisë. Për çdo person që dëmton në mënyrë të qëllimshëm matësin do të dënohet deri në tre vjet burg.