(2L ONLINE) – Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Valentina Bunjaku Rexhepi, e shoqëruar nga drejtori i Qendrës për Punë Sociale Mursel Zymberi dhe shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvend, Avdyl Aliu, kanë vizituar sot familjen Sahiti, e cila ka në shtëpi katër persona me nevoja të veçanta, të cilët kanë nevojë për tretman mjekësorë në mënyrë permanente.
Anëtari i kësaj familjeje, Sylejman Sahiti, i cili njëkohësisht kujdeset për familjen e tij, ka treguar për vështirësitë që përballet ai në kujdesin për nënën, dy vëllezërit dhe motrën, që të gjithë të palëvizshëm, duke kërkuar ndihmën nga institucionet e shtetit.
Nga ana e saj, kryesuesja Bunjaku Rexhepi tha se në emër të kryetarit Lutfi Haziri ka ardhur për ta para gjendjen nga afër dhe për t’u njoftuar me problemet dhe hallet e familjes Sahiti.
“Në emër të kryetarit Haziri po ju premtoj se bashkërisht me institucionet përgjegjëse do të kujdesemi në mënyrë të veçantë për ju me të gjitha kapacitetet komunale, duke filluar nga kujdesi shëndetësor si dhe sigurimin e ushqimit, për t’ua lehtësuar gjendjen e rëndë”, ka thënë zonja Bunjaku Rexhepi.
Ndërsa, drejtori i QPS-së, Mursel Zymberi ua ka kumtuar lajmin familjes Selmani se për vitin 2015 është siguruar një donator, cili ofron 5 bukë çdo ditë për ta, derisa Komuna do të shqyrtoj edhe mundësitë tjera për ndihmë kësaj familjeje.
Sylejman Sahiti ka falënderuar për ndihmën e ofruar nga Komuna e Gjilanit, duke thënë se kjo është hera e parë që institucionet lokale e vizitojnë këtë familje./2L ONLINE/