(2L ONLINE) – Nën organizimin e Grupit të Grave Asambleiste të Komunës së Gjilanit me mbështetjen e Kryesueses së Kuvendit Komunal Valentina Bunjaku – Rexhepi, sot është mbajtur një takim i Grupit Koordinues Kundër Dhunës në Familje, në të cilin është debatuar për dhunën në familje në përgjithësi, por edhe për problemet, sfidat dhe synimet që planifikohet të arrihen gjatë të ardhmes.
Me këtë rast kryesuesja Bunjaku – Rexhepi, i ka dhënë mbështetje të fuqishme në emër të Komunës së Gjilanit këtij grupi, që të punohet edhe më shumë në vetëdijesimin e qytetarëve për parandalimin e dhunës në familje, por edhe kur dhuna të ndodh, ajo ka bërë me dije se infrastruktura ligjore, dhe organet e përfshira në këtë grup, kanë dëshmuar se këtë kategori e shohin me prioritet e që domosdo duhet të punohet që të kemi sa më pak raste të dhunës në familje.
Mursel Zymberi, drejtor i Qendrës për Punë Sociale, ka informuar të pranishmit me bashkëpunimin që kanë me organe të ndryshme sa i përket trajtimit të një rasti të dhunës në familje.
Ai tha se kjo qendër është me një rëndësi të veçantë në këtë drejtim sepse rastet lajmërohen në momentin e parë nga ana e Policisë së Kosovës dhe bashkërisht më pas bëhet zgjidhja e problemit në faza të ndryshme konform ligjit.
Ndërsa, kapiteni Remzi Azemi, komandant në Stacionin Policor në Gjilan, thotë se në statistikat e policisë nuk ka ndonjë dallim të madh në mes të dhunës që ka ndodhur gjatë vitit të kaluar dhe asaj që ndodhi sivjet.
Ai tha se në polici janë raportuar 98 raste të tilla dhe 58 prej tyre janë dërguar në prokurori, derisa 40 të tjera kanë ngelur në polici. “Në Policinë e Kosovës ka një hapësirë të veçantë për intervistimin e viktimave të dhunës në familje dhe sipas tij ka një vetëdijesim të viktimave të cilat po i kërkojnë të drejtat e tyre, ngase askush nuk ka të drejtë të ushtrojë dhunë mbi tjetrin”, th ai.
Rina Ahmeti, kryesuese e GGK-së, e cila edhe ka qenë organizatore e këtij debati, ka thënë se debate të tilla dhe aktivitete të kësaj natyre duhet të ndërmerren sa më shpesh në mënyrë që të informohen të gjithë qytetarët për pasojat që rrjedhin nga Dhuna në Familje.
Nga ana tjetër, Vjollca Jakupi, psikologe, thotë se ia kanë dalë që 12 femra që kanë punësuar dhunë, t’i punësojnë, poashtu ajo ka bërë edhe një prezentim lidhur me detajet dhe konventën e cila i parasheh në mënyrë të detajuar dy gjinive në raport me dhunën në familje.
Nga ana tjetër, Drita Klaiqi, zyrtare për barazi gjinore në Gjilan, tha se duhet pasur kujdes se si po sillemi në familje ngase familja është shtylla e shoqërisë.
Halil Zahiri, gjyqtar, tha se organet gjyqësore përballen me raste të tilla dhe ka përmendur raste të shumta e një ndër to kur pas 18 viteve nëna është kthyer te djali dhe tashti jetojnë bashkë.
Kurse sipas Abdylatif Latifit, drejtor në Spitalin Rajonal në Gjilan, në këtë spital i trajtojnë rastet e dhunës fizike në familje, kurse Xhevat Aliu, drejtor në Qendrën Rajonale për Punësim, tha se shkaktarët e dhunës në familje janë edhe problemet ekonomike e sociale, andaj duhet edukim, zhvillim e punësim.
Ibadete Mustafa, nga qendra “Liria”, që mbron gratë, ka thënë se kanë strehuar 82 raste, 54 gra dhe 24 fëmijë, të të gjitha nacionaliteteve.
Debati i sotëm shënon përmbylljen 16 – ditore të fushatës së Komunës së Gjilanit Kundër Dhunës në Familje. /2L ONLINE/