Kjo “bukuri” do të shihet më së miri në përfundim të projektit nga punët e shumta që këto ditë kanë marrë hov në qendrën e qytetit të Gjilanit.
Shkruan: Gani NEZIRI
Nuk dyshoj aspak se finalizimi i kësaj pune do të duket shumë bukur për syrin e qytetarëve, por ama, do të jetë i amortizueshëm në kohën më të shpejt për nevojat reale të qytetarëve.
Po flitet për trasenë e rrugës me katër korsi se do të futet në qendrën e qytetit për të shkarkuar qarkullim më të lehtë të veturave në qytet.
Ndërkaq, zgjerimi i kësaj rruge detyrimisht ngushton parkun e qytetit që edhe kështu si është gjithsesi që është i ngushtë. Po kujtoj se ngushtimi i parkut të qytetit është në kundërshtim jo vetëm me planin hapësinor të miratuar nga Kuvendi i Komunës pak vite më parë por, do të thosha se është në kundërshtim edhe më të ashpër me rregullat e lirisë qytetare.
Dikur, ky park ishte planifikuar për 20-30 mijë banorë, ndërkaq sot, qyteti ynë është i populluar me dy-tre fish-in e këtij numri. Ndërkohë që në vitet e afërta do të rritet tutje më shumë.
Kudo në botën e qytetëruar është rregull zgjerimi i parqeve në qendrën e qytetit e jo në asnjë mënyrë ngushtimi i tyre. Madje, mundësisht, të gjitha përpjekjet duhet të drejtohen që e gjithë qendra e qytetit të bëhet park gjelbërimi ku qytetarët do të shëtisnin të lirë në ajrin e pastër pa tymin helmues të makinave.
Ashtu, sikur kudo në botën e qytetëruar që është rregull, që qendra e qytetit të lirohet nga endjet e makinave, ashtu duhet të mendohet e të veprohet edhe në Gjilan.
Rrugët e katër korsive duhet trasuar si unaza andej nga periferitë e qytetit, por jo, në asnjë mënyrë brenda në qytet. Kujtoj se këtë vit do të ishte më mirë që të mbyllej definitivisht qendra e qytetit për qarkullim makinash dhe të mbetet krejtësisht e lirë veçse për qytetarë.
Edhe ashtu nuk do të ishim të parët që do të bënim këtë projekt. E kanë bërë këtë para nesh Prishtina, Shkupi e Tirana. Madje, kjo është bërë edhe në Ferizaj. Ashtu sikur është bërë edhe në disa nga qendrat e tjera të Kosovës.
Pra, e gjithë qendra të bëhet park gjelbërues ku do të kënaqet syri dhe shpirti i njeriut. Aty ku do të thithej ajri i pastër i natyrës e mushkëritë tona të jenë më të shëndetshme e më të dëlira.
Nuk duhet vazhduar me gabime kolosale të cilat dalin shumë shpejt nga moda, ashtu si ka ndodhur me mbulimin e lumit Mirusha.
Në fakt, ky mbulim sot ka një pamje shumë të bukur në shikimin e parë. Është pastruar mirë dhe janë liruar qytetarët nga kundërmimi i aromës së keqe që kanë vuajtur për disa vite me radhë. Por ama, imagjinoni një pamje të lumit të hapur (sa do me ujë të pakët) të shtruar e rrethuar me gurë natyral, rreth të cilit do të mbilleshin pemë dekorative, e në dy anët e lumit, të kishte shëtitore, ulëse e tavolina për pushime të shkurta.
Kudo në botën e qytetëruar mirëmbahet lumi me gjitha shpenzimet e mëdha që mund të kapin që të mos kundërmoj aromën e keqe por, jo, mbulimi nuk imagjinohet. Pra, mirëmbahet.
Një qytet që nuk ka lum natyral duhet përpjekur për të gjetur idenë dhe mundësinë financiare për të krijuar një lum artificial. Gjithsesi që e kam të qartë se do të ishte një projekt i investimeve të mëdha por, kujtoj se, megjithatë do të përballohej me donacione evropianë që është dëshmuar se nuk janë të pakta në këtë lëmi. (Ndoshta, nuk ishte edhe aq larg penda e Livoqit për ta sjellë ujin në qytet).
Mundësisht, mos më shikoni nga këndi partiak në mos jam një anti LDK-ist i ashpër, se nuk jam. Jam veçse një kritik kundër ngushtimit të parkut të qytetit që bënë pushteti i udhëhequr nga LDK.
Jam kundër futjes së katër korsive në qendrën e qytetit, sado që do të duken bukur për syrin në finalizimin e tyre.
Në përfundim të këtij artikulli mora një informatë se Kryetari i Komunës në seancën e fundit paska thënë se nuk do të ngushtohet parku.
Tani do të bëj dy pyetje:
1. Pse u hoqën gjitha lulet gjatë gjithë shiritit gjelbërues rreth rrugës në qendrën e qytetit?!
2. Pse u hoqën me rrënjë disa nga drunjtë dekorativ në qendrën e qyteti?!
Shtatë vjet është pritur rritja e tyre ndërsa u shkulën me rrënjë për vetëm shtat minuta?!
Në botën e qytetëruar kjo tingëllon dhimbshëm. Madje, shumë dhimbshëm.
Reagimi i sinqertë dhe me hile!
Tani, ndonëse jemi në të njëjtën vij të reagimit me shumë nga anëtarët e partisë time, megjithatë, në esencë prapë dallojmë. Sepse, reagimi im nuk mbanë barrën partiake dhe shkon vërtetë në mbrojtjen e interesave të qytetarëve. Ndërkohë që, kreditet i shkojnë subjektit që i takoj, pra (PDK-së).
Kurse reagimi juaj, ndonëse është i qëndrueshëm gjithsesi, në fakt, len të kuptohet se është veçse një zbrazje mllefi dhe inati që i takon luftës personale e ndërpartiake për ta përmbushur egon personale dhe aspak ose shumë pak, për interesin real qytetar dhe ngritje të vlerës së partisë si mbrojtëse e të drejtës qytetare.
Pra, projekteve dhe aktiviteteve të mira duhet thënë mirë dhe duhet mbështetur ngado që vijnë ato, le të jenë ato edhe nga rivalët tonë politik. Dhe, duhet ngritur zërin reagues edhe ndaj projekteve dhe aktiviteteve jo të mira nga kushdo që vijnë ato. Të mirës, nuk bënë t’i thuhet e keqe. Sikur që, as të keqes nuk duhet thënë e mirë, se “të vret Zoti”.
Prandaj, kur pandehja se rivali im politik LDK e Komunës tonë bëri aktivitet të mirë e mbështeta edhe publikisht. Dhe njëkohësisht u bëra me dije qytetarëve gjilanas se brenda partisë time (PDK) funksionon demokracia e shprehjes së mendimit të lirë. Dhe, tani kur vlerësojë se është duke punuar keq po e ngris zërin tim kundërshtues.
Tutkunët politikë!
Ju, a po kujtoni se edhe në jetën plurale demokratike të gjithë ne duhet me menduar me kokën e kryetarit të partisë dhe kryetarit të degës.?!
O tutkuna, kjo logjikë është tipike komuniste. Tipike me kohën e komunizmit ku askush nuk guxonte të shfaqte mendim të vetin. Të gjithë dorëzoheshin para kryetarit të partisë!
Servilët thonin atëherë se; “Ai, Kryetari i di të gjitha”. Po ashtu, edhe sot, servilët e ati lloji vazhdojnë të thonë; “Kryetari i di të gjitha”. E tmerrshme kjo logjikë për shekullin XXI.
Tutkunët politik mendojnë se; kushdoqoftë që shfaq mendimin ndryshe nga kryetari ai është kundër partisë! (Më falni, se tutkunët politik në fakt nuk mendojnë fare, sepse për ta mendon kryetari).
Nga prizmi i kohës së sotme komunizmin e kemi deklaruar si sistem totalitar por, fatkeqësisht edhe sot vazhdojmë të sillemi si të tillë. Shumë tutkun kujtojnë se kur të flet kryetari ne të tjerët duhet veç me i bë “aminin”.
Po nuk është ashtu o të nderuar tutkun politik. Pluralizmi jo vetëm që lejon mendimin ndryshe por edhe të “detyron” për angazhim të pavarur.
/autori është anëtar i Këshillit Drejtues në degën e Gjilanit dhe në Qendër/