DYLON

Ndërmjetësimi si zëvendësim efikas i zgjidhjes së kontesteve biznesore në kohë pandemie

Ndërmjetësimi si zëvendësim efikas i zgjidhjes së kontesteve biznesore në kohë pandemie
Avatar photo Redaksia

Pandemia COVID-19 përveç ndikimit që ka pasur mbi shëndetin publik dhe veprimtaritë ekonomike, ka goditur rëndë edhe veprimtaritë gjyqësore rrjedhimisht duke shkaktuar grumbullimin e çështjeve dhe kontesteve të cilat nuk mund të zgjidhen pa praninë e palëve në gjykatë. Përdorimi i ndërmjetësimit si metodë efektive e zgjidhjes së kontesteve për të lehtësuar veprimtarinë e gjykatave sidomos gjatë kësaj kohe ishte tema e diskutimit në forumin virtual të rradhës, organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me programin e USAID për Drejtësi Komerciale.

Makifete Saliuka, zëvendës kryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës theksoi se si rezultat i pandemisë është punuar me kapacitete të reduktuara, dhe gjykatat kanë trajtuar vetëm çështjet më urgjente. Megjithatë, sipas saj Komisioni për Administrimin e Gjykatave në planin për menaxhim të krizave ka paraparë edhe mundësinë për mbajtjen e seancave gjyqësore online ku edhe janë realizuar disa seanca të ndërmjetësimit të siguruara nga programi i USAID për Drejtësi Komerciale. Sa i përket ndërmjetësimit, Saliuka theksoi se zhvillimi shoqëror dhe ekonomik, sado i mirëpritur, shpesh herë ka sjellë edhe mosmarrëveshje mes palëve, gjë që ka ndikuar në nevojën për një metodë alternative për zgjidhjen e kontesteve. Ajo shtoi se ndërmjetësimi si proces duhet të respektohet dhe përdoret nga palët dhe gjykatat si dispozitë imperative për zgjidhjen e çështjeve familjare apo ekonomike, dhe se janë vënë themele të qëndrueshme të ndërmjetësimit në Kosovë me anë të të cilit nuk do të shkelet e drejta bazë e çdo njeriu për një gjykim të drejtë.

Faton Morina, kryetar i Odës së Ndërmjetësuesve tha se ndërmjetësimi në shoqërinë tonë ka filluar në vitin 2008 ndërsa funksionalizimi i plotë i tij si proces është bërë në vitin 2012, pas licensimit të ndërmjetësuesve të parë nga Ministria e Drejtësisë. Morina theksoi se si rrjedhojë e ndalimit të përkohshëm të veprimtarive nga pandemia COVID-19, institucioni që ai drejton nuk ka pasur punë të ngarkuar por me anë të metodave alternative ka vazhduar veprimtarinë, ku është përfshirë edhe mbajtja e seancave të ndërmjetësimit online e mbështetur nga USAID. Morina shtoi se seancat e mbajtura online nuk kanë qenë shumë të ndryshme nga rastet e trajtuara në gjykatë dhe se avantazhi i ndërmjetësimit qëndron në faktin se palët mund ta përdorin si metodë më të lehtë për zgjidhjen e kontesteve, dhe njëkohësisht si proces më të shpejtë. Ai potencoi se deri më tani nuk ka ndonjë rast të kontesteve të trajtuara përmes ndërmjetësimit që është kthyer për ri-trajtim, ndërsa theksoi se shpreson që kjo metodë të fillojë të përdoret më shumë nga palët për çfarëdo lloj rasti apo kontesti.

EkoHigjiena
Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.