ULPIANA LAMA
BUKURIA DHE QARTËSIA E NJË LIBRI
( Pak fjalë për librin publicistik të Flora Masurica Durmishit, PËRTEJ KOHËS, edituar nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu:”, Gjilan, 2024 )
Libri publicistik PËRTEJ KOHËS është rezultat i një pune 25-vjeçare. Ua rekomandoj fort për tri arsye kryesore.
Bota në të cilën jetojmë sot është thellësisht ndryshe nga ajo kur janë kryer intervistat e para të Florës. Bota e sotme është e përshpejtuar në çdo aspekt, jo vetëm në ushqimin e shpejtë, por edhe në informacionin e shpejtë. Shekuj më parë, dija ishte privilegj i disa personave; dekada më parë, lufta përqendrohej në aksesin në informacion të pacensuruar dhe libri sjell një vështrim mbi këtë. Sot, jemi të përmbytur nga informacioni. Paradoksalisht, ky “info-flacion” mund të mjegullojë të kuptuarit dhe të rrisë pasigurinë. Koha për verifikimin e fakteve është e kufizuar. Edhe më e kufizuar është koha për kërkimin e së vërtetës. Por ka profesionistë që e bëjnë këtë punë. Është aksiomatike shprehja “ka rëndësi çfarë thuhet, por mbi të gjitha ka rëndësi se kush e thotë”. Ndaj, le të flasim pak për autoren. Që Flora Durmishi ka një jetë në gazetari, kjo është e rëndësishme. Por fakti që ajo ka një integritet të rrallë, të kombinuar me përvojë dhe rrjet të gjerë të ndërtuar me punë dhe kredibilitet, e bën atë një figurë të besueshme dhe të respektuar. Flora përfaqëson profesionalizëm, integritet dhe kredibilitet.
Një nga mekanizmat e mendjes njerëzore është të marrë gjërat si të mirëqena. Sot, liritë që ushtrojmë dhe të drejtat që mbrohen me ligj mund të konsiderohen si të mirëqena. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në kontekstin historik dhe përvojës sonë personale, dimë që secila prej tyre ka marrë kohë dhe përpjekje të mëdha. Nga kopertina deri te faqja e fundit e librit, intervistat sjellin një paraqit je kronologjike dhe dinamike të këtyre përpjekjeve monumentale, të zbërthy era përmes sfidave personale dhe shoqërore. Ato janë gjithashtu të lehta dhe të këndshme për t’u lexuar. Pas dëgjimit të një kënge nga Nexhmije Pagarusha ose Liliana Çavolli, një lexues i ri mund të shijojë intervistën përkatëse dhe të kën aqë kurreshtjen. Kaq shumë gra të zonja dhe kaq shumë art e vepra të bukura! Një dimension i ri krenarie dhe inkurajimi vjen faqe pas faqe.
Në aspektin njerëzor, puna e saj dhe ky botim na japin një mësim tjetër hu maniteti: është fisnike ajo që bën Flora, duke evidentuar kontributet dhe duke respektuar vlerat, ajo lartëson individët, duke qenë vetë në të njëjtin nivel. Ky është një mësim mbi mirënjohjen, respektin dhe bashkëpunimin. Flora ka mençurinë dhe pastërtinë e shpirtit për t’u frymëzuar dhe, ndonjëherë, për të mësuar nga gra të tjera të mençura. Thyerja e “tavanit të qelqtë” nuk është pra punë e një dite apo e një personi, por e shumë prej shqiptareve të mrekullueshme atëhere dhe tani. Zbuloni madhështinë e thyerjes së kufizimeve dhe çlirimit të energjisë njerëzore, pavarësisht nga gjinia.
Ka shumë bukuri dhe qartësi në këtë libër. Është i denjë për të zënë vend në bibliotekat personale dhe ato shkollore. /2LONLINE/