Të gjitha vendbanimet e komunave Bujanoc, Preshevë dhe Vranjë janë pa rrymë elektrike shkak i një defekti në sistem.
Për disa orë këto komuna me fshatrat e tyre kanë mbetur në errësirë të plotë pas defektit të pësuar në sistemin e rrjetit elektrik para orës 21h, të cilin punëtorët e Elektrodistribucionit të Serbisë ende nuk kanë arritur ta lokalizojnë.
Gazetari i Titullit disa herë ka provuar të kontaktojë përmes telefonit shërbimin për informim të Elektrodistribucionit, mirëpo të njëjtit ishin jashtë sistemit.
Defekti është i madh pasi që siç ka mësuar Titulli jozyrtarisht, janë angazhuar një numër më shumë se zakonisht i punëtorëve për të funksionalizuar sistemin e rrjetit elektrik.
“Problemi mund të jetë në rrjet, në trafo të tensionit të lartë, në stabilimente apo edhe defekte tjera, të cilat punëtorët e kësaj ndërmarrje duhet t’i kontrollojnë me radhë për të gjetur shkaktarin e ndërprerjes së rrymës”, i tha Titullit, B.L. punëtor i Elektrodistribucionit.
Defekti në fjalë me rajonin që ka përfshirë ka lënë pa energji elektrike mbi 150 mijë banorë të jugut të Serbisë. Në mënyrë indirekte ky defekt ka lënë edhe pa ujë qytetarët pasi pompat që shtyjnë ujin për në amvisëri nuk funksionojnë pa energji elektrike.