Reshjet e shiut dhe vërshimet që kanë përfshirë Serbinë nuk janë evidentuar edhe në rajonin e komunës së Bujanocit dhe të Preshevës.
Lumenjtë që kalojnë përmes komunës së Bujanocit përveç fryrjes së tyre nga të reshurat e shiut, e në disa vende edhe shembje të dheut buzë trases së saj, nuk kanë shkaktuar dëme në infrastrukturë apo në objekte banimi, siç po ndodhë në rajonet tjera të Serbisë, ku nga vërshimet ka edhe humbje jetësh.
Ali Asllani nga Shtabi për Emergjenca në Bujanoc i tha portalit informativ Titulli se çdo moment janë në terren dhe se situata është nën kontroll.
“Nuk ka asgjë alarmante jemi në terren dhe deri më tani gjithçka është nën limitet e lejuara. Kemi mobilizim të shtabit dhe se në rast të lajmërimit të ndonjë fatkeqësie natyrore ne jemi të gatshëm për intervenim”, u shpreh Asllani.
Ai me këtë rast theksoi se situata është në limitet e lejuara edhe në rrugën që shkon në drejtim të Breznicës dhe se lumi nuk rrezikon rrugën ashtu siç ndodhi në muajin prill.
“Nëse kemi situatë alarmante në këtë rrugë shtabi do ta njoftojë kompaninë ‘Saba Bellça’ e cila ka obligim dy vjeçar për mirëmbajtjen e kësaj rruge, në mënyrë që të parandalojë shembjet në këtë trase”, i tha Titullit shefi i shtabit të Emergjencës në Bujanoc, Ali Asllani, i cili njëherit konfirmoi se edhe në komunë të Bujanocit është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, si në gjithë territorin e Serbisë.
Për dallim nga Asllani, komandanti i shtabit për gjendje të jashtëzakonshme, kryetari i Komunës së Bujanocit Nagip Arifi, të premten ka thënë se “komuna e Bujanocit nuk ka shpallë gjendje të jashtëzakonshme”, pasi sipas tij “situata është nën kontroll”.
Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq në mbledhjen e mbajtur të enjten ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në tërë territorin e republikës së Serbisë, pjesë e së cilës është edhe komuna e Bujanocit.
Këtë gjendje, për dallim nga ajo e Bujanocit, e ka shpallur edhe komuna e Preshevës, ndërsa ka bërë mobilizim të gjerë, ashtu siç e kërkon situata e jashtëzakonshme.
Portali informativ Titulli ju sjellë pamjet nga ura në Bujanoc e dëmtuar nga reshjet e muajit prill, ku për shkak të rrezikut nga shembja e saj është e ndaluar kalimi i makinave në këtë urë nën të cilin kalon lumi Morava e Jugut.
Gjithashtu, është regjistruar edhe derdhja e lumit të Tërnocit në Moravë të Jugut. Siç duket fryrja e këtyre lumenjve për disa nuk përbën rrezik, pasi kanë shfrytëzuar këtë moment edhe për të peshkuar.
Nga ana tjetër të papunët gërmojnë në mbeturinat buzë lumit për të gjetur metale për shitje, duke vendosur kështu në rend të parë kafshatën e gojës e më pas rrezikun.