Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës(PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka thënë se dy rastet fatale, ku kanë humbur jetën dy persona, kanë ndodhur në fshatin Radivojcë përkatësisht në fshatin Livoq i Ultë.
Aksidenti i parë ka rezultuar me një të vdekur ku një vozitës i motoçikletës ishte përplasur për një veture dhe për pasojë ka humbur jetën, ndërsa, në rastin tjetër humb jetën drejtuesi i një automjeti i cili duke u kyçur në rrugën magjistrale në drejtim të Gjilanit goditet nga një automjet tjetër, nga merr plagë vdekjeprurëse.
Përndryshe, zëdhënësi Hashani ka kërkuar kujdes të shtuar nga vozitësit e automjeteve dhe ti respektojnë shenjat dhe ti zbatojnë rregullat e trafikut, në mënyrë që të mos ndodhin aksidente me pasoja fatale apo edhe me lëndime trupore.
Autoritetet policore apelojnë tek vozitësit që të kenë kujdes më të shtuar në këtë periudhë kohore kur është rrit numri i veturave në qarkullim për shkak të ardhjes edhe të bashkatdhetarëve, ku për rrjedhojë edhe po krijohen kolona më të gjatë veçanërisht gjatë ahengjeve familjare.
Ndryshe, zëdhënësi Hashani ka thënë se Policia Rajonale e Trafikut, për shkaqe sigurie i ka rrit masat e kontrollit dhe të gjithë ata vozitës që nuk u përmbahen rregullave të trafikut do të përballen me ligjin. /2lonline/