Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe Këshilltaren Politike të Kryeministrit, Ardita Sinani pritën sot përfaqësues politikë të komuniteti boshnjak e shqiptar që jetojnë nën Serbi.
Nga delegacioni i SDA Shanxhak që kryesohej nga kryetari Dr. Sulejman Ugljanin, i shoqëruar nga kryetari i PVD, Shaip Kamberi, dhe dy deputetët tjerë në Kuvendin e Serbisë, Enis Imamovic dhe Selma Kucevic, kryeministri Kurti u njoftua për brengat dhe problemet me të cilat ata ballafaqohen.
Me përfaqësuesit boshnjakë dhe shqiptarë u diskutua edhe për elementet përbërëse të propozimit evropian për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Të drejtat e komuniteteve joshumicë në shtetet tona pasqyrojnë demokracinë dhe zhvillimin tonë si shoqëri. Për dallim nga Serbia që nga Freedom House klasifikohet si shtet me regjim hibrid, Republika e Kosovës është shtet demokratik me të drejta dhe liri për të gjithë, theksoi Kryeministri Kurti. Ai shtoi se komunitetet e ndryshme pa dallim duhet të trajtohen në kuadër të principeve universale e në harmoni të plotë me standardet e Bashkimit Evropian.
Tre deputetët në Kuvendin e Serbisë që pranojnë Kosovën e pavarur, Enis Imamovic, Selma Kucevic dhe Shaip Kamberi, së bashku me Dr. Sulejman Ugljanin, potencuan që janë të pakënaqur me statusin e boshnjakëve dhe shqiptarëve në përgjithësi e posaçërisht në komunat e Novi Pazarit, Tutinit e Sjenicës në Sanxhak si dhe të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në Luginë. Ata kërkuan reciprocitet të të drejtave me serbët në Republikën e Kosovës.
U pajtuan se për paqe të qëndrueshme dhe siguri në Ballkanin Perëndimor duhet të ketë simetri të drejtash, dhe jo qasje privilegjuese ndaj një pakice apo komuniteti. /2LONLINE/