Presidenti nuk është më shumë i njërës parti se sa i tjetrës. Pavarësisht faktit se dikush e respekton më shumë e dikush e respekton më pak. E në këtë rast, dikush edhe aspak.
Shkruan: Gani NEZIRI
Edhe në botën e qytetëruar, jo të gjithë qytetarët e duan presidentin. Është qështje e lirisë personale dashuria dhe respekti për të.
Por ama, nën petkun e përkatësisë së personit zyrtar (si kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani) ke detyrim ligjor. Në aspektin shtetëror detyrimisht duhet të respektosh fotografinë e tij (që nuk fletë) dhe vendimet e nesërme që dalin nga zyra e tij. (Karakterin, kurrë mos ja pëlqe! Është e drejtë krejtësisht personale).
Çështja e fotografisë së presidentit në zyra shtetërore është e sanksionuar me ligj. Pra, nuk është nevoja të bojkotohen mbledhjet shtetërore për këtë çështje.
Nuk ka asnjë dyshim se, Vjosa ka shkelur ligjin. Veprimi i parë në zyrën e sajë, juridikisht cilësohet kundërvajtës. Që ditën e parë na e shkeli shpresën për të shpresuar në “Koalicionin e shpresës”?!
Nëse është për tu besuar fjala e vjetër popullore se “dita e mirë shihet në mëngjes”, mëngjesi na bëri akull. Ktheu ndjenjën e hakmarrjes së vjetër të pasluftës kur “askush nuk i besonte askujt”. Dhe, “të gjithë ishin kundër të gjithëve”.
Si qytetar i lirë i shtetit që jam, ama bash hiq nuk më lenë përshtypje se, u hoq apo nuk u hoq fotografia e presidentit, ose, do të kthehet apo nuk do të kthehet fotografia në vendin e vet.
Është çështje ligji kjo. Fotografia do të kthehet detyrimisht në vendin e vet.
Kur, nuk e di?!
Varet, sa do të mund ta shtyjë Vjosa!