Shefqet DIBRANI
BOHEMI I PRISHTINËS
( Mirko Gashi, “POLIPET E VDEKJES”, poezi e zgjedhur, botoi Sh.B. “BEQIR MUSLIU”, Gjilan 2021, faqe 270. ISBN 978-9951-760-54-6 )
Prologu
Sa herë lexoj emrin e Mirko Gashit më përfytyrohet pamja e Bohemit Madhështor dhei papërsëritshëm që kishte Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, me të cilin i kemi ndërruar vetëm dy-tre fjalë.
Diku në fillim të viteve të nëntëdhjeta, me disa miq, ishim të ulur në kafenen e njohur KOHA, e cila gjendej përballë Pallatit të dikurshëm të gazetës RILINDJA, kur ia behu Bohemi i Prishtinës të cilin gjerë atëherë nuk e njihja.
Mirkon, si poet e adhuroja shumë, por nuk e paramendoja se ishte në atë “gjendje madhështore?!”, se ashtu siç ishte, madhështor ndjehej ai, por sakaq ndjeva atë dorë burrërore kur vuri mbi shpatullat e mia,e më tha: “Mos u beso këtyre?!”, dhe kishte drejtuar gishtin kah poetët, Rrahman Dedaj, Rifat Kukaj dhe Iljaz Prokshi: unë jam Poeti më i Madh ndër këta të vegjlit që i ka Kosova?!…, nuk po ju njohë ma ktheu me dashamirësi bohemiste! Edhe pse këta janë shumë të Mëdhenjë, mbi ta jam unë e përseriti refrenin e tij Bohemi i Prishtinës!…Ashtu me atë buzqeshje të cilën ia mbulonte mjekra shumë e madhe, u largua tutje pa trazuar të tjerë, dhe u mbyll në vetën e tij, ashtu si mundi e si diti vetëm Ai, t’i kalonte vitet e fundit të jetës.
Kush ishte ky pyeta? – thellësisht i tronditur?! Mirko Gashi, u përgjigjen ata!Sakaq, dita ime, qysh në atë paradite u fundos, mu bë se dielli jo perëndoi por u rrokullis i tëri para syve të mi të cilët mu errësuan, nga ajo pamje bohemiste e Mirkos, dhe po ashtu u kënaqa nga qëndrimi i tij po aq Madhështor?!… Miqtë e pranishëm, që tashmë nuk janë ndër të gjallët, e kuptuan gjendjen dhe përjetimin tim. Ata ngadalë më kthyen në vete, dhe pastaj folën vetëm fjalë miradije për poetin e madh Mirko Gashi, dhe për Bohemin e vetëm që kishte Kosova, natyrisht folën për poezinë e papërsëritshme, por edhe për dashurinë e tij për Kosovën, për fëmijet dhe për rrënimin e tij social e shpirtëror.
Bohemi i Prishtinës, se ashtu e ndiente vetën Mirkoja, dhe ajo pamje nuk mu shqit kurrë nga mendja dhe sytë e mi. Kujtimi për te, përherë më përfytyron pamjen e Mirko Gashit kur e takova në Prishtinë, në kafenen KOHA, përballë Pallatit RILINDJA, pallat ky që e kishin pushtuar dhe uzurpuar serbët. Për fat të keq, Pallati i Shkrimtarëve, u ripushtua edhe një herë fill pas mbarimit të luftës nga fusharakët me mendje fushë të cilët arritën për ta ngulfatur kulturën dhe për t’i zhbërë përpjekjet bohemiste të shkrimtarëve të Kosovës!…
Leximi i poezisë, përfshirë në librin “POLIPET E VDEKJES”, pa dyshim m’i lëkundi ndjenjat duke më rikujtuar pamjen e gjallë dhe po aq tragjike, e njëkohësisht edhe madhështore të Mirko Gashit, ndërsa poezia e tij të cilën na e la pas, shpreh po atë dashuri për rininë e Kosovës, e po aq edhe për fëmijët e tij që shprehet në poezinë “Liria”, me përkushtim Sugarit tim, Lumit, i cili edhe pse “Në muajin e vet të tetë/ s’don të lidhet në djep”,(faqe 188). Ndërsa te poezia “Dëgjoj zogun”, me përkushtim Time bijë, ai shkruante: “Zogu piu ujë në vorbullën e lumit/ e kënga e tij m’tingëlloi/ si kënga e shtojzovalles/ që shëtit nëpër trotuar/ të qytetit tim/ sikur të ishte trimi/ i cili theu prangat e përrallës“, (faqe 209).
Bohemi i Prishtinës
Derisa termi Bohème lidhet me zhvillimet letrare të shekullit të 19-të, dhe kishte të bënte me mjedisin e artistëve dhe intelektualëve të rinj metropolitan – veçanërisht atyre të lagjes latine në Paris, shikuar nën këndvështrimin e varfërisë dhe urisë, në njërën anë, dhe të idealizimit të tyre që kishin për artin dhe letërsinë, në anën tjetër, gërshetonin dy të kundërta të realitetit parisien. Ky qëndrim refuzues ka shpërfaqur edhe fytyrën e prishtinalive, sidomos për vlerësimin injorues ndaj fateve të tilla. Këto dy pole, diametralisht të kundërta e përbënin personalitetin letrar e njerëzor të Mirko Gashit – i njohur si Bohemi i Prishtinës. Dhe në kundërshtim të plotë me sjelljen e pushtetit që u tregua shpërfillës, me kategoritë sociale të intelektualëve, veçmas me jetën e bohemistit, ashtu siç veproi shoqëria e Parisit, ngjashëm veproi edhe ajo e Prishtinës, e cila Mirko Gashit, të paktën ia ka pranuar dhe vlerësuar artin dhe poezinë. Ky qëndrim ishte veprimi më human i Elitës Kulturore të Prishtinës, kur ia botuan poezinë e zgjedhur “Plagë uji” më 1990. Me botimin e kësaj poezie Elita Kulturore e Prishtinës, u tregua e denjë duke e pranuar vlerën e saj, dhe duke e rreshtuar si pjesë e mozaikut të gjithëmbarshëm kulturor dhe letrar. Pa dyshim, shembëllejnë poezitë e përfshira në librin “POLIPET E VDEKJES”, përzgjedhur nga prof. dr. Anton Nikë Berisha, i cili e ka shkruar edhe parthënien e këtij libri, që u botua nga Shtëpia Botuese “BEQIR MUSLIU”, në Gjilan. Ky akt kulturor lidhet edhe me poetin Sabit Rrustemi, i cili e ka vlerësuar poezinë e Mirko Gashit, duke mos e lidhur gjë me mënyrën e tij të jetesës, veprim që përputhet me mentalitetin e elitës franceze e cila Boheminë e perceptoi si vend kulture e letërsie, të cilin shkrimtari francez Adolphe Caillé (1812–1887) e përshkroi në vitin 1836 si “atdheu fantastik i artistëve dhe epikurianëve”.
Mirkoja:Vendi është shkret pa ju
Për jetën e Bohemit të Prishtinës, për përkushtimin e tij poetik, për dashurinë që kishte për Kosovën, për fëmijet e tij dhe për rininë e saj, flet poezia që la pas, bashkë me thirrjen sublime: “Kthehuni, o bij, nga bota/ Ejani se më e ëmbël është buka jonë/ Do ta kemi më lehtë së bashku/ më pak do të dhemb”, sigurisht poeti mendonte se malli e mërzia do të ishte më e paktë, pasi”Vendi është shkret pa ju”. Kështu bukur ka shkruar Mirkoja. Këtë poezi e klasifikojmë si shënimin më emblematik, që ka lënë një poet për të gjallë të tij. Poezia “Jam unë, Mirko Gashi”, është e vendosur në pjesën e pasme të kopertinës së librit “POLIPET E VDEKJES”. Mesazhi i poezisë është i qartë, dhembja e tij po aq, ndërsa poezia është shkruar vetëm pak kohë para se të vdiste, Bohemi i Prishtinës!…Tash shtrohet pyetja hipotetike: Ku e gjeti poeti atë bukuri, ku e kishte të strehuar atë motiv dhe kur e shijoi atë ëmbëlësi që kishte “buka e tij?!”, kur i dihej gjendja e rrënuar sociale?!
Jeta reale e tij ishte ajo që ishte. Vërtetë ku e gjeti atë motiv, atë vullnet dhe atë dashuri Mirkoja, për të lëshuar këtë Apel që mund të klasifikohet si Testament, i cili shpreh kundërshtimin e hapur për lëshimet, për braktisjet e shumta që i bëheshin vendit dhe Kosovës. Ai e dinte se “Vendi është shkret pa NE?!”. Po më mirë se ne, kjo gjendje shpirtërore përjetohet në vet poezinë “Jam unë, Mirko Gashi”, të cilën po e sjellim të plotë.
JAM UNË, MIRKO GASHI
Rrugë… Rrugë e gjatë.
Rruga e zemrës sime.
Fat i pafat, një shpirt, një dëshirë, një trup ecën i përkulur – s’të njohin, s’i njeh… Ke dhënë shumë, më shumë se jetën. Ke dhënë fjalën, zërin, lotët, zemrën, e ke marrë një – hiç.
Mirëdita, Prishtinë!
Jam unë, Mirko Gashi – poeti bohem, poeti i popullit, poeti i lagjes sate, poeti i fjalës sate, poeti i mendimit tënd. Jam unë në këtë lumë njerëzish, jam unë në të ëmblin qytetin tim, jam unë njeriu… i juaj, i madhi, i dashuri, e i padashuri!
Më rrahën motet, më plakën vuajtjet, më dogji vetmia, por më mban shpresa se jemi një të gjithë. Kaloj rrugëve të mia, kaloj botës sime, në qetësinë e natës me dhembjen time.
Ndjej erë trëndafili. – Më dalin përpara dy të rinj. Sy të druajtur që vezullojnë kanë ardhur të më shohin.
Lot të nxehtë më rrokullisën faqeve, një drithërimë më kaplon shpirtin.
(…) Të më shohin mua, duart që më dridhen, rrudhat e ballit tim, mjekrën time, shkrimin tim të mjegulluar apo shqetësimin tim? Po ku të gjej qetësim? A ka në gotë harrim?
Jeta ime është terr e ferr! E doni poezinë time shumë? Po sepse ua kam kushtuar juve, të gjithëve. Në ju është bukuria, në ju, o fëmijët e mi, se ju jeni ardhmëria jonë.
Jetova për popullin tim dhe duartrokitjet më të ngrohta i mora prej tij, prandaj fjala ime le të jehojë në hapësirë. Ndihmoni, o vesh të shurdhër, se bukuria është këtu në ne e me ne. Kthehuni, o bij, nga bota! Ejani se më e ëmbël është buka jonë. Do ta kemi më lehtë së bashku, më pak do të dhemb. Vendi është shkret pa ju. Është si një plak i kërrusur, si unë…
Me zë të lartë luftoj për ju, bërtas dhe thërras për ju edhe këtë poezi po ua fali juve – le t’ma lexojë rinia ime.
(Prishtinë, dhjetor 1994)
Mishungu sociokulturor
Mirko Gashi, u lind në Kralevë të Serbisë, në një ambien kulturor të përzier, derisa në shtëpi mund të fliste shqip, në rrugë detyrohej të fliste serbisht. Po ashtu kemi edhe një përzierje fetare në mes katolicizmit të babait dhe ortodoksizmit serb në rrugë e në lagje. Në librin etij “Arbor Vitae” 1988, ndeshim një përkushtim që të krijon dridhrimë shpirti: “Tim at Mark Gashit dhe hijes së xhaxhait tim Jusuf Dalipit”, d.m.th. kemi edhe një përzierje tjetër në mes katolicizmit të Mark Gashit, babait të tij, dhe rrënjeve gjeneologjike të xhaxhait Jusuf Dalipi, shqiptar me besim mysliman në Preshevë. Ky mishung, (gjermanisht Mischung), është pjesë e dramës gjenteike e jetësore e cila do të ketë ndikuar në vlerat universale që i pat Mirkoja si intelektual, si poet por edhe si Njeri. Një shprehje gjermane thotë: “Duke përzier dy ngjyrat, u krijua një jeshile e errët”, dhe pa dyshim kush e njeh Kosovën, sidomos trevën e Karadakut, e ka të njohur këtë “Jeshile të errët“, që tek ne njihet si “Laramani”, kulturë fetare kjo ndër familjet shqiptare, ku brenda mureve të shtëpisë predikoheshin ritualet e krishtera ndërsa jashtë kamufloheshin me emra dhe sjellje tipike myslimane, që është pasqyrë e përqafimit të islamit si botkuptim fetar. Në raport me realitetin, vet poeti shkruan: “E ne jemi plim/ tri fe e një fis/ por kurrë jo narcis“, poezia ”Gandiana e përsëritur“, me përkushtim Samedin Mumxhiut e Anton Nikë Berishës, (faqe 218).
Pra, poeti Mirko Gashi, është rritur e kultivuar në këto përzierje kulturore, pastaj në kohën e tij të mirë, kishte nisur frymëzimi për konvertim nacional në “jugosllav”, që pretendohej të merrte hov edhe ndër shqiptarët etnik në këto hapësira. Atëherë, në ato vite, kur ishte në horizont një lloj renesance kulturore edhe ndër shqiptarët e Kosovës, tejmase propagandohej besimi në vlerat e socializmit të vetqeverisjes si frymë e patriotizmit Jugosllav dhe besimi i detyrueshëm në vlerat e Revolucionit Socialist e Komunist në tërë hapësirën ballkanike, duke përjashtuar Greqinë.
Pak të dhëna biografike
Mirko Gashi shkollimin fillor e kreu në Preshevë, të mesmen në Gjilan. Pastaj bëri edhe shkollën e gazetarisë. Për vite punoi si mësues, gazetar në Radio Prishtinë, aktor në Tetrin e Kombësive në Shkup e në Teatrin Popullor të Prishtinës dhe së fundmi edhe redaktor në gazetë. Ishte përkthyes letrar i veprave poetike, prozës dhe dramës nga gjuha shqipe në serbokroatisht, ndërsa nga viti 1972 ka botuar edhe veprat e tija me poezi. Prandaj mund të supozojmë se Mirko Gashi i ka shijuar majat e karrieres intelektuale.
E, jeta kulturore dhe ajo letrare në Kosovë, edhe pse me rivalitet në mes dy grupeve antagoniste, gjatë atyre viteve përjetoi zhvillime të rëndësishme. E diku poeti paska shkruar: “U bëra siç jam/ i njëjtë/ o me ta/ o s’jam”, (poezia “Kasidra për kryetrimin”, faqe 43), kurse në një poezi tjetër ai shkruan: “shtatë pash cok është në ne/ vite drite lart mbi ne“, (poezia „Vdekja e Nojit“, faqe 180).
Nëse këto vargje i shkëpusim nga konteksti i poezisë riprodhojmë një mendim të ri, një mesazh tjetër dhe kundërshtues po t’i shikojmë gjërat në retrospektivën e atyre viteve.“Zot o Zot Imzot/unë s’jam Ti/ po Ti e di/ se çka bënë”, (poezia „Tek Syla“, faqe 224). Ishte kohë tjetër, kurse shkrimtari duhej të kishte kujdes se çfarë shkruante, mu ashtu siç shprehet:”E ne/ nëpër ah/e bah”, (poezia „Horoskopi“, faqe 239).
Antagonizmi sociopsikologjik
Si duket grupet aq antagoniste i kishin rivalet dhe përkrahësit e tyre. Ata që nuk i përkisnin as njërës dhe as palës tjetër duhej të pësonin nga ky polarizim ekstrem, andaj sintagma “me ne/ në ne”, (faqe 127), është refren që përseritet edhe në faqen 131, mund të ketë nismën këtu për të shpreh edhe antagonizmin politik në mes “vegjelisë dhe pushtetit okupues serb”?! Sa e si i shpëtoi Mirko Gashi, më së miri flet mënyra e jetesës, në vitet e fundit të jetës së tij.
I përmenda këto zhvillime, pasi nga viti 1995, kur vdes Mirko Gashi, përveç letërsisë, kanë pasur detyrim profesional e akademik, katedra e socilogjisë dhe ajo e psikologjisë të sjellin studime e përfundime, për rënien shpirtërore dhe sociale të poetit, për të cilin dihet se ka bërë jetë bohemi, e nuk kam njohuri nëse nga prizmi i sociologjisë dhe psikologjisë të kemi studime akademike për këtë mënyrë të jetesës.
Mirko Gashi, ishte fenomen, i veçantë dhe i papërseritshëm. Madje gjatë kësaj periudhe ai ka shkruar poezi me frymëzim patriotik, ka kundërshtuar sitemin kolonialist serb, ka shprehur dashuri për fëmijët e tij dhe rininë e Kosovës, dhe ka thënë“se më e ëmbël është buka jonë!” Pavarësisht këtij refreni, ai deri në frymën e fundit ka jetuar vertikalisht, por me dinjitet të nëpërkëmbur nga gjendja e rrënuar sociale, dhe asesi si levë e grupeve dhe e sistemit. Bile, ai e këshillonte të birin me u pajtuar me urinë për të mos u turpëruar. E rrallë, e veçantë, tejet përjetuese që shpreh stoicizëm unikat njëkohësisht.
DURO BIRI IM
Më mirë uria se koria
duro Lumi im
hala mundesh
Gandi çohet peshë
nëse ndryshe s’mundesh
Faqe 220
Për fat të keq, Mirko Gashit, që solli risi në poezinë shqipe të Kosovës, i shënohet vetëm data e lindjes, por nuk i shënohet ditëvdekja e tij, e cila duket të ketë qenë e dhembshme, shqetësuese dhe e harruar! Saktësisht ashtu siç ndodh kudo në botën e qytetëruar me Bohemistët e pa strehë dhe të rrënuar nga skema sociale?!…
Struktura e librit
Si poet, për të parën herë Mirko Gashin e njoha nga libri “Gjarpëri i shtëpisë” 1980, por me librin “Arbor Vitae”1988, sikur e kompletova atë lloj botëkuptimi mbi poezinë e shkrimtarit, pasi pikërsiht ky libër ishte që më futi në vorbullëne tij poetike.E çartë, atëherë nuk kisha pretendime për të analizuar poezinë. Dy vite më vonë, “Rilindja”, përkatësisht Biblioteka ALBATROS, në kuadër të serisë së librave me poezi të zgjedhur botoi librin e Mirko Gashit “PLAGË UJI”, poezi e zgjedhur nga Anton Berisha. Pra libri “POLIPET E VDEKJES”, është një trajtë e atij libri me pak ndryshime, kryesisht cilësore, dhe me dy cikle shtesë si risi, që esencialisht nuk ndryshojnë konceptin e atëhershëm të poezisë së Mirko Gashit. Natyrisht, në këtë botim studimi kritik i prof. Anton Nikë Berishës, është shumë më i kompletuar dhe mjaftë i zgjeruar duke ruajtur strukturën e botimit të vitit 1990, edhe poezia e zgjedhur e Mirko Gashit, tashmë merrë formën e kompletuar të saj.
Sa për kuriozitet të krahasimit, shihet se nga libri “Arbor Vitae”, nuk janë marrë poezitë: Populus Illyricus, Hasan Prishtina, Tradhtari, Ylli i mëngjesit (kushtuar Emin Durakut), Revolucioni, Moa, Shota, Vala e zezë, Shtegëtimet e vargjeve të mia, Në vend të respektit, (do të ishte me interes për strukturë), Vox, Vocis, Ars poetica, (kushtuar Bacit Sat), dhe poezia Pasqyra. Ndërsa nga libri “PLAGË UJI”, me poezi të zgjedhura, nuk qenkan marrë poezitë: Ylli im, Elegji, Bushtra, Kujtimi, Përcjellja e marinarëve, Varret dhe Nata e qirinjve.
Libri “POLIPET E VDEKJES” ndahet në trembëdhjetë cikle: 1. RRITA ORËBARDHË; 2. PLAGË UJI; 3. DHIMBJET E VERDHA; 4. KOHË GJARPRI; 5. ZOGU I URTË I MARRISË; 6. ETJA E VERBUAR; 7. KALORËSI I PESTË I APOKALIPSËS; 8. UJËVARË FATI; 9. SHPALIM YLBERI; 10. NË SYRIN E QIELLIT; 11. SHTJELLË E VDEKJES; 12. BLEGËRIMË RESH; dhe cikli 13. KALI I VARREVE.
Vlenë të theksohet se libri “Polipet e vdekjes”, kryesisht ruan ndarjen ciklike nga botimi paraprak, me ndonjë ndërhyrje kozmetike e gjuhësore. Por shihet se janë shtuar dy cikle të reja, “SHTJELLË E VDEKJES”, me 12 poezi të reja dhe cikli “BLEGËRIMË RESH”, me 8 poezi të tjera. Siç e theksuam më lartë, është zgjeruar edhe studimi i prof. dr. Anton Nikë Berishës, i vënë në fillim ku pjesa e dytë (faqe 22-35), e kompleton më mirë studimin praprak për poezinë e Mirko Gashit.
Titulli që intrigon
Titulli i librit intrigon, për vet faktin se poeti “polipet” i ka përmendur vetëm në një varg, ky motiv nuk është shtjelluar askund në poezinë e Mirko Gashit, ndërsa përpiluesi vetëdijshëm e ka sjell në titull. Është poezia “Uji ëndërron burimin e vet”, pjesë e ciklit “Kaktusi”, (faqe 78), dhe vetëm aty e ndeshim vargun ku poeti i përmend “polipet”.
Polipet (polyp), janë gjallesa deti të përafërta me koralet. Qelizat e tyre janë helmuese dhe vdekjeprurëse, por në kontestin poetik shëtisin,“në kohë të mallkuara nga ngrohtësia/ nëpër vapë/ shëtisin polipet e vdekjes” dhe siç shkruan poeti “është kjo kohë/kur bimët luten për shi”, ndërsa në një trajtë tjetër thuhet:“e dhembja e paduruar shpirtin ngushton”, këtu në këtë varg, polipet janë karakterizuar si sëmundje, dhe në vargun pasues përseri polipet janë tipe gjallese: “peshku i sëmurë nga ngrohtësia/ thellësirat kërkon”, kurse me metaforën “Ylli i mëngjesit”, poezia merr formë universale të cilën e lidh me elementin realist të jetës që jetonte, të njeriut me “kafkullin e breshkës”, si hejbe a barrë mbi shpinë, dhe që dridhej nga vapa, prandaj si duket, i mllefosur dhe i vetmuar, Ai Njeri vazhdonte jetën e vet në ballafaqim me Polipet, nëse i trajtojmë si gjëndrra e tumore.
Duket se Mirko Gashi ka pasur njohje të thellë për rolin vdekjeprurës që kanë polipet në trupin e njeriut kur dihet se ato janë edhe gjëndrra, tumore që shfaqen në ezofag, stomak, zorrën e hollë, zorrën e trashë, tëmth, miter, por mund të paraqiten edhe në organe si laringua, hunda, uterusi, fshikëza e urinës etj.Pra me “polip” nënkuptojmë tumor beninj, pavarësisht nga lloji dhe struktura e tij, “polipet” në stomak janë tumore të indeve, kurse i infektuari nga polipet mund të përfundojë me fatalitet.
Edhe pamja e këtyre tumoreve është e ngjashme me polipet e detit, prandaj mjekësia i ka emërtuar me të njëjtin term. E gjitha, si emërtim është konceptim intrigues i përpiluesit, i cili din të shtjellojë mendimin, sidomos kur e njeh përmbajtjen e kësaj poezie e cila është përplot me motive të “vdekjes”, kurse vdekjet gjithmonë kërkojnë një shkas, prandaj ja disa vargje ku vdekja përmendet, qoftë si simbolikë, por edhe si metaforë: atje ka vetëm krrokatje që vdekjen e lë pas; çdo gjë që bën vdekjes i përngjan; derdh lumin e vdekjeve; dhe jeta me vdekjen; dituritë gjysmë të vdekura për ty; edhe ndarja është një çik vdekje; jam yt shok edhe në vdekje; kur nxirrte frymëvdekje; mendimin për vdekjen tënde; mes jetës dhe vdekjes; në pikën e verdhë vdekje derdh; pa e parë këtë bukuri m’vdiq babagjyshi; për një vdekje dhe një lindje lajmëron; përtej vdekjes dhe meje s’çapon; shtjellë e vdekjes; si kasnec i vdekjes kerber i ndjekjes; ti përsëri paraqitesh pas vdekjes; tingujt e vdekur; unë do të vdes i shushatur; vdekatarët i lemeritë; vdekja dhe jeta; vdekja në ishull shndërrohet; vdekja s’është aq e thjeshtë; vdekja s’është vazhdim; vdekja shtatë pash prej nesh; vdekje për plangtona; vdekjen tërheq për frerë; vdes aty ku bashkohet; zbatica vdes; etj.
Si duket, roli i dyfisht i “polipeve”, e paska shtyrë përpiluesin për të nxjerrë një ndermjetësim – shtjellë kulturore, të saktë në aspektin kuptimor, si motivi e lajtmotivi i vdekjes në poezinë e Mirko Gashit.
Metaforat simbolike
Një varg poezishë tingëllojnë si elegji, kanë muzikalitet elegjiak, ndonëse kanë nuancim personal, përsëri dominon e përgjithshmja dhe universalja, veçmas kur përballet me skamjen dhe mjerimin e skajshëm. Ky rrëfim figurativ e bënë vargun më melankolik, ndërsa përmes simbolit të gjarprit, metaforikisht poeti ka paraqitur kohën e ligë të sitemit diktatorial i cili shërbehej me ligështinë dhe veprimin e shëmtuar. Struktura poetike e poezisë, shpreh botkuptimin artistik të poetit përkitazi me rrjedhën dhe zhvillimin e ngjarjeve që ndodhnin përreth. Simboli në poezinë Mirkos, figurativisht përfaqëson metaforën e cila ka një filozofi që kishte të bënte drejtpërdrejt me proceset kontradiktore që ndodhnin në një sistem përplot diktaturë të shprehur përmes metaforës: blegërojnë retë, dielli buzëqesh, çmenden krojet, uji i verbër, tingujt e vdekur etj.
Poeti metaforën e ka përdorur për të mbarështruar lënden semantike e cila si tërësi tematike paraqet edhe ndjenjën e frikës që mund ta ketë pasur poeti. E kjo shihet te poezitë e Apokalipsisë që janë struktura morale, kurse si ndjenjë shprehje personale e cila herë herë duket se manifestohej me frikën reale që mund ta ketë patur edhe vet poeti.
Këto poezi janë të konceptuara edhe si pikpamje filozofike sipas së cilës çdo fund e ka një fillim të ri. Pastaj, reja e zezë, vallja e zezë, zogu i urtë i marrisë, kali i varreve simbolizojnë të keqen e cila rritej vazhdimisht dhe po aq linte vrragët e saj, përkatësisht gjurmët e veprimit, vargje të shumta kanë dramacitet dhe simbolizojnë të keqen.
Oda ose metafora e vjershërimit
Oda, kryesisht ka kuptimin e vjershërimit letrar në vargje, edhe në muzikë. “Oda” është vjershë lirike që ka muzikalitet të ngjashëm me tingëllim të këngës, zakonisht kur u kushtohet ngjarjeve a njerëzve të caktuar.Po ashtu edhe vargjet që shprehin ndjenjën e dashurisë, etj. Në anën tjetër Oda, në kulturën etnografike ka kuptimin e dhomës së banimit. Zakonisht në zonat rurale kishte Odë – dhoma ku janë pritur miqtë. Në traditën e familjes shqiptare janë të njohura: Odat e shtëpisë. Oda e bukës (e zjarrit), etj.
Nga ky nocion i dhomës ku janë zhvilluar ngjarje e janë bërë tregti të kohës, në fushën e ekonomisë i ndeshim këto nocione si: Oda e tregtisë, Dhoma e tregtisë, etj. që kanë kuptimin e dhomës së veçantë dhe të mbyllur ku mund të diskutohet për çështje të caktuara. Në të gjitha rastet në poezinë e Mirko Gashit ka kuptimin e vjershërimit, madje edhe në titullin e poezisë “Oda e xehtarit”, ka kuptimin “Vjershërimi i xehtarit”, që është ndër metaforat më karakteristike në poezinë e Mirko Gashit: “nga vala e gejzerit/në ballin tënd/ një mjellmë/ klithi Heroikën e Betovenit/ vullkani u tund/ e oda për ty s’mori fund// u tërbua deti në det/ këngët që s’i këndove/ m’i lë amanet”, (faqe 187). Përveç këtyre dy rasteve në poezinë e cituar më parë, metaforën e “Odës”, në poezinë e Mirko Gashit e gjejmë edhe në këto vargje: “duke i kënduar oda ujit” (faqe 81),”u këndojnë oda borës”, (faqe 106), “Betoveni tani e di/si lindi/ Oda e Gëzimit”, (faqe 242), “nuk e dirigjoi Odën e Gëzimit”, (faqe 50), “Ligjëron/ vetëm Odën e Gëzimit”, (faqe 225), ndërsa në vargun “eja në odat tona ku të ëndërrojnë fëmijët të këndoni”, (faqe 119), merr konotacionin edhe të dhomës por metaforikisht edhe të vjershërimit, duke e bërë nocionin e kuptimit multidimensional.
Poezia, shoqëria dhe njerëzimi…
Në poezinë e Mirko Gashit, me theks të veçantë kjo në librin “Polipet e vdekjes”, trajtohen disa elemente poetike të cilat japin konceptin e ideve dhe të motiveve të Mirko Gashit, i cili arriti të përfeksionojë artikulimin poetik, dhe të përfaqësojë sjelljen bohemiste në Prishtinë si dhe të bëhet vlerë artistike, prandaj ai si Njeri ishte pjesë e shqetësimeve jetësore e sociale, i kategorisë qytetare që nuk i kundroi ato realitete nga distanca, por kaloi vetë pran tyre duke i jetuar ato.“Me feniksin e fjetur në zemër/ zbrita nga Mali i errët/ e dikush i shkret/ më përgojoi në qytet”, (poezia “Zgjimi i feniksit”,faqe 97). Së këndejmi shumë motive zanafillën e kanë nga kaosi, ndonëse gjakimi i tij kishte të bënte për të mirën në kohën që e jetoi poeti. Nga një aktor teatri e poet i zellshëm ai mundi të shijojë vlera që mund ta ketë jetuar një personalitet kulturor e letrar, ashtu siç shprehet vet ai: “Jetova për popullin tim dhe duartrokitjet më të ngrohta i mora prej tij, prandaj fjala ime le të jehojë në hapësirë”, (Poezia: Jam unë, Mirko Gashi).
Ndoshta ata që e njohën më për afër, mund ta kenë kuptuar më mirë zhgënjimin e poetit, dëshpërimin e tij, dhe mënyrën e jetës e të protestimit e cila vërehet edhe në vargun poetik që demonstron jetë e dashuri, një ngjizje semantike e cila manifestohet nga përmbajtja kuptimore e vargut dhe shprehjeve poetike të shprehura me figurat poetike si gjarpri, gjarpëri i shtëpisë, lumi, uji e zjarri dhe figura të tjera të shumta që janë përdorur mjaftë dendur, duke ndërtuar atmosferën e dramacitetit poetik dhe kështu kanë tërhequr vëmendjen e kritikës letrare për specifikat dalluese që kishte poezia e tij, karshi brezit tjetër të letërsisë bashkëkohore shqipe në vitet e ’70-ta e të ’80-ta të shkullit të kaluar.
BUZË LUMIT
Sa të shkurtra janë largësitë
nganjëherë
deri në breg të lumit
Kur kitara thërret
lumi vlon
peshqve zëri u shteret
Ti për bukuri
zgjon puhinë
fjetur në flokët e së dashurës
dhe ia lëshon frerët
Faqe 61.
Poezia e secilit autor, së këndejmi edhe ajo që krijoi Mirko Gashi, është jeta dhe realiteti i jetuar nga vet poeti. Mirko Gashi, kishte ëndrra si të tjerët, por realitetin e pat më të hidhur. Kjo ndjenjë përjetimi lexohet edhe nëpër poezitë e tij, me një thellësi në mendim dhe me prehtësi në shqiptimin e fjalës artistike. Ky zë krijues është vet poezia është përjetimi i tij shpirtëror i shprehur nën optiken e vargut poetik. Poezia është pamja artistike e realitetit të jetuar, dhe atij të përjetuar. “Ylli im në fund të pusit/ unë ithtar i opusit”, (“Ylli i poetit”, faqe 110). Poezia e Mirko Gashit është dhembja e individit në shoqërinë kosovare e cila luftonte për ekzistencë seociale, ndërsa ekzistenca sociale e vet individit si qenie e kësaj shoqërie ishte e katandisur, të paktën në planin moral e njerëzor, e së këndejmi edhe në atë social e kulturor. Kjo thellësi e ndjenjës jepte përjetimin e pamjes së realitetit i cili tashmë kundrohej nga prizmi artistik që dukej se ishte revoltë intelektuale për lirinë e munguar.
Poezi moderne
Si koncept tematik dhe si vlerë artistike, poezia e Mirko Gashit, kategorizohet në poezi moderne me vargje të përjetuara thellë:”Mes brigjeve uji/ shtatë diej fundosi/ dy hëna nusërore varrosi”, (poezia “Bukuroshja”, faqe 191). Kjo qasje moderniste, qoftë për risitë që i solli poezisë shqipe në raport me vlerat e deri atëhershme dhe në kuadër të realiteteve të kontrolluara nga sistemi, intuita e tij shkonte përtej këndvështrimit real të kohës së kontrolluar.
Poezia e Mirko Gashit, jo vetëm e shpaloste realitetin por e zhvishte atë lakuriq, i shprehur me mënyrat e mundshme që kishin konotacion shqetësues e dhembjeje:“lis pas lisi/ plis pas plisi/ bëhet pylli/ do të vijë koha/ edhe deti do të jetë i vockël/ për t’i larë/ mnelat e fëmijëve tanë”, (poezia “Rondo”, kushtuar Sabit Jakupit, faqe 200), ose vargjet “E krijuam oazë/ ti kuçedër/ na gjuan/ me flakë/ E ata/ fëmijët tanë/ ta ndezin shuplakë”, (poezia “Reinkarnimi im”, faqe 241).
KUR FËMIJA QAN
Kur fëmija qan
lumin e than’
kur fëmija dënesë
dielli lind me vonesë
kur fëmija t’i shtie ethet
edhe në pranverë bien gjethet.
Faqe 77.
Si vizion artistik shprehte një lloj reflektimi të atyre trazimve sociokulturore. Ky stigmatizim ishte fjala poetike përmes së cilës kundërshtonte dhe damkoste aq sa mundtte veset e shëmtuara, andaj poeti vazhdimisht mbajti qëndrim të prerë, të mprehtë dhe mohues ndaj gjërave që nuk rridhnin si duhet. Stigmatizimi i tij kishte të bënte me stukturat që i shërbenin verbit të keq në dëmë të popullit dhe shoqërisë, parë si absurd i veprimit të cilin ai e kundërshtonte me logjikën e shëndoshë poetike. Kjo pikëmaje poetike qoftë si ide e qoftë si mendim i gjithmbarshëm, ndoshta e lëndoi karakterin e tij të butë. Këto veprime të pakuptimta e jashtë mendjes, e krijuan poezinë e revoltës dhe të dëshpërimit me rrjedhen e procesve të cilat nuk shkonin mbarë. Mbase ishte një depërtim i thellë në qasje dhe interpretim të mendimit poetik të cilin e kristalizoi në poezie cila u cilësua e veçantë dhe artistike njokohësisht.”Mua fati/ Rexhën ati/ mua ylli im i fatit/ Rexhën thundra e atit“, (poezia “Nisja e dashurisë – Atlantida ime“, faqe 208).
Motivi historik
Poezitë me përkushtim për figura historike dhe ato kulturore kanë nervin patriotik përmes së cilit aktualizohej revolta dhe kundërshtimi si mënyrë e vetme për ndryshimin e asaj paqës dhe pajtueshmërisë së kamufluar. Poetika e Mirko Gashit është shprehje e reflektsionit që ka prodhuar arti poetik që e bëri të veçantë, të dalluar dhe domosdo edhe të respektuar. Mirko Gashi, pa dyshim ishte personalitet letrar me atribute të larta estetike e me vlerë artistike, univers më vete, shëmbëlltyrë për stoicizëm të pathyeshëm edhe kur supozohej se ai kishte kriza, ose kalonte nëpër kriza të mëdha sociale e morale, ai prodhonte mendime të thella dhe si asnjë tjetër shkruante vargun e revoltës qytetare pa u merakosur nëse struktura të sistemit do t’ia nxinin jetën të cilën nuk e pat aspak të bardhë, sidomos në vitet e pleqërisë, pasi vitet tjera, poeti sigurisht i ka menaxhuar dhe jetuar me dinjitet. Në kërkim të formës dhe mënyrës së re shprehëse, poezia e tij në tërësinë e saj kuptimore, ka shtrirje të gjerë në shtresëzimet idoemocionale të ndërdijes nacionale duke arritur një depërtim të thellë në brendësinë e qensisë.
Motivi patriotik e të ngjashme, si “lëshoi kushtrim/ Idriz Seferi”, (poezia Ura e Maskatarit”, faqe 75), pastaj poezia”Kaçaniku”, (faqe 225), posedojnë motivin historik që kryesisht është i pranishëm edhe në poezitë përkushtuese për figurat e njohura të historisë patriotike si Mic Sokoli, Ganimete Tërbeshi, Qenan Shaipit, Sabit Jakupit, Aziz Isufit etj.
Poezia e artistit dhe përkushtimi për artistët
Motivi i artit trajtohet tek poezitë përkushtuese për figura të njohura të artit dhe letërsisë siç janë: Muslim Mulliqi, Rexhë Mulliqi, Shtjefën Gjeçovi, Nexhmije Pagarusha, Anton Pashku, Atë Gjergj Fishta, Françeskanit Anton, Dr. Zef Lekaj, etj. Ky ndijim artistik dhe kjo prirje për vlerat e shkrimit letrar, pikturën dhe muzikën, plotësojnë mozaikun e personalitetit kompleks, sidomos kur dihet se Mirko Gashi është shquar edhe si aktor, prandaj piktura, vizatimi, brusha, lapsi etj. përfaqësojnë rekuizitat artistike sikurse edhe ndjenja e hollë për muzikën e kanë bërë atë dhe poezinë e tij të veçantë dhe karakteristike. Kurse poezia, me shtresëzimet e saj krijon mundësi për qasje të shumta pasi kanë përjetim të thellë dhe mesazh të qartë. Poeti ishte vet dhembja, prokupimi i tij ishte për një botë më humane dhe me harmonizim të raporteve ndërnjerëzore. Nga kjo duket se dalin mjaftë figura poetike të cilat shprehin preokupimin poetik dhe dhembjen intelektuale e cila nuk ishte e paktë.
Në të vërtetë objekti i trajtimit në poezinë e Mirko Gashit është njeriu dhe fati i tij në rrethana shoqërore e politike të tensionuara, fati i intelektualit dhe tragjika e artistit në një botë kur raportet ndërnjerëzore ishin tensionuar tejmase. Pavarësisht rrethanave, klaneve e raporteve ndër vete, ai nuk qëndroi indiferent në këto rrethana,por duke shprehur shqetësimin intelektual ndërtoi raporte të kundërta me politikat e kohës e cila poetit ia pamundësonte fjalën dhe shprehjen poetike. Këto trazime ai i shprehu edhe në vargun poetik i cili herë shfaqet si kundërshtim e herë si revoltë qytetare, por gjithnjë qe poet i shqetësuardhe i përvuajtur.
Koha e tij ishte kohë e korbave a gjarprit, këmbët e të cilit i vizatoi si do të duhej në vargun e tij vetëm Mirko Gashi, që shfaqej si tragjikë e pafund. Nuanca të kësaj tematike, paraqesin poetin që formësonte atë që vet e ka përjetuar.
Motivi i lumit dhe i ujit
Në trajtimin e poezisë së Mirko Gashit është e pamundshme t’i shmangemi simbolikës së ujit që është shndërruar në motiv krijues dhe si temë obsesive në poezinë e tij, duke sjellë risi të shumta në vështrimin tipologjik, figura e ujit, qoftë si simbolik ose si motiv ka qasjen dhe në mënyrën e trajtimit mjaftë interesant. “Je grua e ikur/ që s’kthehet kurrë”, (poezia “Rreziqet e lumit”, faqe 66), ose “Krisi lajmi vesh më vesh/ uji i verbër çohet peshë”, (poezia “Parandjenja e vërshimeve”, faqe 63). Figura e ujit, shpesh merr pozitën e simbolit në të cilën shpeshherë ka zëvendësuar një ide mendim të caktuar i cili metaforikisht është mbuluar me simbolikën e ujit që rrjedh dhe ka vazhdimësinë e jetës së njeriut, prandaj mendohet se koncept themelor i kësaj poezie në planin semantik është uji. Sipas Mirko Gashit, uji rrjedh, rrjedha është vet jeta, jeta është gjallëri, gjallëria shtim që krijon pasardhës, dhe kështu krijohet rrotacioni i rrjedhës. Pra rrjedha si proces, proces është vet jeta, jeta që rrjedh si vet poezia e Mirko Gashit. Motivi i ujit, në poezinë e këtij poeti shpreh ndjesi, brengë, shqetësim, preokupim dhe kuptimisht gjakim asociativ dhe simbolikë me disa kuptime, që shprehin rrjedhën mbi tërësinë. Uji dhe sinonimet e ujit, deti, liqeni, lumi, përroi, krua, shiu, etj., i kemi si simbolik dominante në poezinë e këtij poeti.
XHELOZIA E UJIT
Kur lumin e puth përroi
vdes aty ku bashkohet
vdekja në ishull shndërrohet
përrenjtë në lumë pajtohen
pas puthjes së lumit dhe përroit
nga syri fluturon feniksi
dhe fluturon e fluturon
nëpër kohë
për një vdekje dhe një lindje lajmëron
Faqe 59.
Kaktusi dhe frika e Poetit nga vdekja
Mirko Gashi, ka krijuar edhe simbolika të tjera, për shembull me kaktusin, si bimë tropikale e cila i përballon thatësirave, dhe duket sikur është krijuar metaforë për vetëveten. Pra edhe cikli “Kaktusi” është krijim poetik i paramenduar, jo poezi e shkruar nga rastësia, nga çasti dhe rasti i caktuar. Kaktusi i qëndron thatësisë e cila figurativisht duket se është metaforë për vetëveten, i cili iu qëndroi “thatësive”, mungesave sociale, prandaj jeta prej bohemi ishte imponim jo zgjedhje, i kushteve sociale si kontrast i jetës së ëndërruar dhe realitetit të jetuar.
KAH PO E SHOH KËTË LULE
O Zot im Zot
kah po e shoh këtë lule
në të cilën vdekja dhe jeta
shëtisin dorë për dore
duke i kënduar oda ujit
m’është e qartë
se duhet jetuar
dhe duhet parë këtë mrekull
Faqe 81.
Me një fjalë, kaktusi në poezinë e Mirko Gashit, simbolizon vet jetën e poetit, ku në mes vështirësive sociale, kaktusi ngjasonte për mënyrën e jetesës me mungesa të ujit në thatësira të mëdha. Këtë motive ndeshim edhe nëpër poezi të tjera: “buzëqeshjajotefrëngji/gjarpritëflenëgji/ nëpërfrëngjinëbuzëqeshje/ zjarri e ujinëpërleshje”, (poezia”Thatësia”, faqe 62). Figurativisht një gjetje ideale që shpreh filozofinë me mundësi të shumta interpretimi. Ndërsa te poezia “Vdekja”, (faqe 134), poeti shkruan se “Vdekja s’është vazhdim/ i jetës/ por mbarimi i saj”, e më pas ai beson se “vdekja s’është aq e thjeshtë/ si mendohet/ as e ndërlikuar/ si besohet”, po aty, (faqe 134).
AJO QË MBETET
Qoftë në mendime
Udhëtojnë kalorësit e Apokalipsës
fara e kataklizmës
mbin dhe zhduket dikur
pse frika nuk humbet kurrë
Faqe 136.
Motivin e vdekjes poeti e trajton në planin shumë dimensional në ciklin “Shtjellë e vdekjes”, që duket të jenë poezi të shkruara në kohën e jetës së thellë në Boheminë e tij të ashpër në mes të Prishtinës, dhe pran syrit të popullit të vet të cilit me pietet i kushtoi artin dhe poezinë.
Flora poetike dhe simbolika e shpezëve
Ashtu sikurse flora, edhe shpezët dhe kafshët kanë simbolikën e vet në poezinë e Mirko Gashit. Ky shqetësim sado që duket personal, në poezi personifikohet me fatin kolektiv. Zogu, është simbolikë e veçantë, ai paraqet fatin e njeriut në shtegtim, në kërkim të hyjnores, të universales. Qyqja, e cila”fshehurazi po na i lë vezët në vatrat”, (faqe 116), është shpend që paraqitet sipas botkuptimit tradicional duke mos e demitizuar fare gjithë atë mitologji të ndërtuar për të. Papagalli, është shpend që “prashit e prashit nëpër ujë/ toka tokë e hëna dujë”, (faqe 121), paraqet kotësinë dhe pafuqinë e individit për të dalë jashtë kornizës së përcaktuar nga sistemi. Bilbili, sipas Mirko Gashit demitizohet, “Ti je vetëm pjellë e përrallave// je i sëmurë s’e ke dëgjuar këngën tënde që është vaj”, (faqe 119), po ashtu kemi edhe ndijim poetik e elegjiak që shprehin pafajësi dhe tragjikën e jetës me të gjitha bagazhet e saj, pra uni personal manifestohet si përjetim kolektiv, si fat i një shoqërie të tërë të shndërruar në “pjellë të përrallave”. Laraska, “është trumbetë e lapërdhisë/ e sëmurë prej kompleksit të madhërisë”, si shpend “ka vetëm krrokatje/ që tmerrin e lë pas”, dhe pa dyshim tek ajo gjenë “në krrokatje flatrat – shigjeta/ nëpër vatrat tona i gjeta”, (faqe 117), ndërsa dikund tjetër këtë shpend i cili ndjell zi, poeti i jep epitetin e njohur, “Sorrëshkinë – Akrep i kohës”, (faqe 237). Në këtë tematikë trajtohen edhe pulëbardhat, ose “Anijet e bardha/ në lartësi të dashuruara”, (faqe 149), kurse gjeli paralajmëron fillimin e ditës, lindjen e diellit, fillimin e lirisë e kështu me radhë. Ndërsa feniksi ringjalljen e shpirtit dhe vazhdimi i jetës.”Zgjimi i feniksit”, (faqe 97);”Feniksi arriti nga vise të panjohura”, (faqe 98); “Feniksi banon në zemrën e poetit”, (faqe 171); etj.
Simbolika për maramen dhe kalin e varreve
Cikli “Kali i varreve”, përbëhet prej shtatë poezive. Në prolog është poezia “Kali i varreve”, edhe poezitë tjera mbajnë këtë titull, por kanë shënimin sqarues Variacioni i parë deri në të gjashtin. Fillimi dhe mbarimi i poezive kanë të njëjtin refren që përsëritet si “vaji i fëmijës këngë e burrit gjak e hak i gurit”, ndërsa simbolikën “vaji i fëmijes” e ndeshim edhe nëpër poezitë tjera: “vaji i fëmijës/ furtuna në mendjen e prindërve”, (poezia “Kalorësi i parë – Uria”, faqe 126); “vaji i fëmijës/ agmi punëtor”, (poezia “Kali i varreve”, faqe 245); “vaji i fëmijës/ lind përrenj”, (poezia “Kali i varreve – Variacioni i gjashtë”, faqe 256). Pra, në të gjitha trajtat shpreh gjendjen konflikutoze dhe ka ngjyrimin e realitetit në Kosovë, kur rinia, përkatësisht fëmijët e prindërve u bënë shkaktar i rrëmujave, dhe pas vdekjes së poetit, po ashtu u bënë shkaktar i luftërave duke u bërë edhe protagonistë të fitorës, përkatësisht të lirisë e cila si “Agmi” shndëriti qiellin tonë. Por te cikli në fjalë kemi simbolikën e maramës e cila si refren bëhet mjaftë karakteristik, duke e lidhur motivin me lojën e dikurshme të maramave, me simbolikën e bartjes, përreth plisit në kokat e burrave.
KALI I VARREVE
– Variacioni i pestë
Në një mot
pikon në këtë botë
fillon jetë
kjo kometë
vrapon shtegut për maramë
Njëherë marama të bëhet e mbrama
mbaron loja
do të jetë Hëna
do të ketë rreze
të mbyllet syri
të pushon goja.
Faqe 254.
Poezi për vete
Jo pak poezi i kushtohen vetvetes, krhaso poezinë “Kënga”, (faqe 157), si i këndon poeti fatit tëvet nëpër kapërcyell kohrash të turbullta dhe përplot sakrifica sociale, që shprehin shtegtim, bredhje dhe endje nëpër hallet e veta. “Prej asaj dite ai qyqan/ në sytë e vet strehon nj ëoqean/ në të cilin guacat ngopen me stuhi/ derisa presin derdhjen e lumit të zi”, (poezia “Fatamorgana e njëçasti”, faqe 84). Dhe këtu do të përmendim edhe poezinë e kopertinës, “Jam unë, Mirko Gashi”, e cila më duket se është poezia më emblematike e këtij tipi, të paktën unë kështu e kam përjetuar, sa që më ka dridhur zemrën, pasi si asnjë tjetër poezi paraqet portretin real dhe autentik të Mirko Gashit, atij të cilin e njoha unë. Pastaj janë edhe poezitë “Fati im”, (faqe 234), “Indet”, (faqe 235), “Unë/ (i cili)/as stuhisë s’ipërkulem/ para teje/ në dy gjunjë bie”, (poezia”NënaTereze”, faqe 48). Në mënyrë eksplicite, një ndjenjë dhe përjetim mjaftë të zymtë paraqesin vargjet: “në një oazë/ lashë të thyer unazë/ sa vështirë e kam im bir/ kur breshka shqelmon yllin/ koha gjarpër/ këmishët ndërron/ uji drapër/ ferrin zgjon”, (poezia “Kujtimi”, faqe 86), sepse sipas poetit “e vrazhdë qenka jeta/ kur ta nisë tatëpjeta”, (poezia “Prelud”, faqe 179).
Epilogu ose lirikat poetike
Në lirikën poetike të Mirko Gashit, gjejmë motivin lirik, erotik, patriotik dhe atë tradicional dhe ndonjë motiv më periferik me diskurs të sofistikuar dhe ligjërim mjaftë të fshehur e moralizues. Poezia e Mirkos, ka edhe shenja zhgënjimi e dëshpërimi dhe çuditërisht duket sikur e privon vetën nga e drejta erotike, ndoshta vetë mënyra e jetesës do të ketë ndikuar për një ndjesi zhgënjyese andaj kemi rastin duke i atribuar tjetrit, përmes të të cilit përjeton dashurinë si manifestim emocional, që lidhet drejtpërdrejt me realitetin e tij të jetuar si akte devijuese. Ishin të shumta arsyet pse ai kishte shkruar: “Jetoja zi e më zi/ skamnor e i pasur/ po i teri në poezi”,(faqe 204), dhe refreni emblematik, që si porosi ia lë të birit: “Më mirë uria se koria/ duro Lumi im”, (faqe 220), që e bëjnë tragjikën e jetës dhe jetën e Bohemit të Prishtinës, të dhembshme dhe mbase tragjike. /2LONLINE/