(2L ONLINE) -Nënkryetari i Komunës së Gjilanit Rexhep Kadriu së bashku me drejtorin për Zhvillim Ekonomik Ismajl Jonuzi dhe bashkëpunëtorë të tjerë, kanë pritur sot në një takim kryetarin e Shoqatës shqiptare “Kosova” në Turqi Rexhep Gonduz dhe biznesmenë të suksesshëm nga Turqia të cilët janë me prejardhje shqiptare.
Në këtë takim është biseduar për mundësinë e bashkëpunimit dhe mundësia e investimeve të biznesmenëve nga Turqia në Komunën e Gjilanit, por edhe vizita njohëse me mundësitë që jep shteti i Kosovës, respektivisht Komuna e Gjilanit, për investime të huaja.
Me këtë rast nënkryetari Kadriu ka thënë se sot kemi në vizitë miqtë tanë nga qyteti i Bursas së Turqisë, që janë biznesmen të fuqishëm nga ai qytet, me të cilët kemi biseduar për mundësinë e njohjes dhe shkëmbimit të përvojave të mira mes dy qyteteve.
“Sot kemi për vizitë miqtë tanë nga qyteti i Bursas dhe së shpejti do të realizojmë një vizitë edhe ne atje, ku do të marrim praktikat më të mira se si të lëvizim përpara drejt zhvillimit. Kjo është një vizitë me karakter pune dhe e tillë do të jetë edhe vizita jonë atje gjatë të ardhmes. Këta përfaqësues – udhëheqës të fabrikave me renome botërore, kanë shprehur gatishmërinë e interesimit për investime në Gjilan dhe Kosovë, duke u interesuar që biznesmenët nga Turqia ti sjellin në Gjilan për të investuar. Ne për nga aspekti i bashkëpunimit si Komunë jemi të hapur për bashkëpunim me investitorët e huaj e sidomos për vëllezërit tanë të cilët gjatë kohës janë shpërngulur nga Kosova për në Turqi. Investimet e tyre në Gjilan janë investimi në qytetin e tyre dhe në vendin e tyre, sepse këta janë qytetarë gjilanas”, ka thënë nënkryetari Kadriu.
Ndërsa në emër të delegacionit ka folur kryetari i Shoqatës shqiptare “Kosova”, Rexhep Gonduz, i cili ka thënë se veprimet për bashkëpunim dhe zhvillim kanë nisur nga viti 2004 kur Gjilani është binjakëzuar me Komunën e Bursas, pastaj ka vazhduar binjakëzimi me mbi 30 shkolla të Kosovës dhe atyre nga Turqia.
“Bashkëpunimi ka nisur menjëherë pas çlirimit të Kosovës. Ne sot kemi ardhur që të njoftohemi me udhëheqjen e re të Komunës së Gjilanit, po ashtu një njoftim me ambientin, zhvillimin në përgjithësi, mundësinë e investimeve këtu, por edhe shkëmbimin e përvojave mes dy vendeve dhe posaçërisht mes dy Komunave të binjakzuara. Ne nga ju do të mësojmë diçka, por edhe ju do të mësoni diçka nga ne. Kemi kulturë dhe traditë të ngjashme, presim zhvillim dhe ndërtim”, ka thënë Gonduz ndër të tjerash. /2L ONLINE/