Kryetari i Vitisë pritet në takim nga kryetari i Gositivarit, bisedojnë rreth projektit ndërkufitar të financuar nga Bashkimi Evropian.
Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, u prit sot në takim nga homologu i tij nga Gostivari i Maqedonisë së Veriut, Valbon Limani. Në këtë takim në veçanti është biseduar lidhur me programin e bashkëpunimit ndërkufitar “Cross-border cooperation” që financohet nga Bashkimi Evropian.
Me këtë rast kryetari Haliti bëri me dije se në takim në mes tyre është biseduar edhe për lidhjen dhe bashkëpunimin e dy komunave, shkëmbimin e përvojave dhe promovimin e bashkëpunimeve të ardhshme në fusha të ndryshme e në veçanti edhe në kuadër të këtij projekti.
Kryetari Haliti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen e ngrohtë të Kryetarit Limani dhe ekipit të tij. Ai tha se projekti i miratuar nga EU Cross-border cooperation do të sjellë shumë avantazhe për komunën e Vitisë si dhe komunën partnere të Gostivarit.
Kjo sipas tij do të ndihmojë në rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe në forcimin e kapaciteteve të komunës për të zhvilluar iniciativa të reja dhe për të përmbushur nevojat e qytetarëve tanë.
Përndryshe vlera e projektit në fjalë është mbi 1 milion euro. /2LONLINE/