Lëvizja për Bashkim (LB) mbajti konferencë për shtyp për zhvillimet e fundit politike në vend, në të cilën Sekretari i Përgjithshëm i LB-së, Valon Murati theksoi se bisedimet me Serbinë, me këtë qasje, agjendë dhe ekip, ashtu siç është pritur, nuk kanë sjellë deri tek zgjidhja e konfliktit shqiptaro-serb dhe për më tepër e kanë rritur jo-funksionalitetin e shtetit të Kosovës.
“Me këto bisedime pala serbe filloi ta zbatojë Pakon e Ahtisarit (madje me krijimin Bashkësisë së Komunave Serbe u tejkalua ajo!) dhe si rrjedhim jo funksionalizohet tërësisht shteti i Kosovës”, tha Murati.
“Me këto bisedime, u krijua Bashkësia e Komunave Serbe, u betonua ndarja e qytetit të Mitrovicës si dhe u injorua tërësisht çështja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, tha ai.
Gjithashtu, Murati konstatoi se sa i përket vazhdimit të vendeve të rezervuara, qëndrimi i LB-së është se për funksionalitetin e Kosovës, sovranitetin dhe vullnetin politik të qytetarëve të saj, problemi më i madh nuk janë vendet e rezervuara apo të garantuara, por është fakti se me këtë Kushtetutë pakicat, duke pasur fuqi të madhe juridike, kanë privilegje bllokuese.