Lëvizja e Progresit Demokratik dhe lideri i saj Jonuz Musliu, i cili njëherit është edhe kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit, kanë reaguar ashpër lidhur me të të ashtuquajturave biseda informative, të cilat po i ndërmerr sigurimi shtetëror serb, ndaj qytetarëve shqiptarë, përkatësisht ish ushtarëve të UÇPMB-së, kinse për të zbuluar armatimin e gjetur afër Xhamisë në Turi të Bujanocit.
“Bisedat informative na kujtojnë periudhën e regjimit diktatorial të Millosheviqit në Luginë të Preshevës, të cilat paturpësisht po zhvillohen edhe nëpër objekte jo institucionale, për të mbjellë frikë dhe pasiguri ndër qytetarët shqiptarë e posaçërisht tek ish ushtarët e UÇPMB-së. Kjo taktikë e vjetër me petkun e ri të pushtetit serbë, po iriton dhe provokon shqiptarët e Luginës së Preshevës, për ta realizuar ëndrrën e kamotshme të Beogradit, për spastrim etnik në komunat me shumicë shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”, thuhet mes tjerash në reagimin e kryetarit Musliu, transmeton Titulli.
Pushteti aktual i Beogradit, ashtu si ai i mëparshmi, vazhdon t’i diskriminoj shqiptarët etnikë në Luginë të, Preshevës, me metodat më primitive antidemokratike dhe anticivilizuese, thuhet në vazhdimin e reagimit të kreut të LPD-së.
Sipas drejtuesit të këtij subjekti politik shqiptar, për shkak diskriminimit të hapur, që ushtron regjimi i Beogradit ndaj popullsisë shumicë shqiptare në Luginë, çdo ditë e më shumë po zbrazen trojet etnike shqiptare të brezit kufitar me Kosovën, gjithashtu në heshtje po vërehet edhe një shpërngulje nga qendrat urbane, me rrezikun permanent të krijimit të një Medvegje të dytë në këtë rajon.
LPD, kërkon nga faktorët politik e institucional vendor, një zë të përbashkët reagues ndaj kësaj fushate të egër diskriminues, të cilën po e ndërmarrin punëtorët e sigurimit shtetëror ndaj shqiptarëve përmes të të ashtuquajturave biseda informative.
Gjithashtu, LPD, kërkon ndihmën e faktorëve relevantë shqiptarë dhe ndrëkombëtarë, duke filluar nga OSBE-ja, që të ushtrojnë trysni tek Beogradi zyrtar, për të hequr dorë nga politika diskriminuese ndaj shqiptarëve etnikë në Luginë të Preshevës, të cilët nuk po zgjedhin mjete e metoda për ta bartur problemin e veriut të Kosovës në Luginë.
http://www.titulli.com/index.php?m=post&s=623