Biblioteka F.S. Noli në Gjilan, ndonëse është e re, ajo ka një historik të fillimit të saj, i cili nuk ka ecur sipas planifikimit, pavarësisht faktit se atë që të gjitha projektet e kanë problemin kryesor-atë financiar, kjo bibliotekë nuk e ka pasur, sepse kjo ishte e zgjidhur nga Komisioni Evropian, i cili kishte ndarë 2.3 milion euro si donacion për të.
Shkruan: Nevzad Isufi
Objekti i bibliotekës i paraparë të filloj në vitin 2011 dhe të përfundonte në vitin 2014. Por për shkak të mënyrës së përzgjedhjes së operatorit ndërtimor joserioz, ky objekt u fillua, por mbeti për gjysmë për një kohë, duke rrezikuar humbjen e këtij donacioni me vlerë dhe po ashtu shumë të nevojshëm dhe me vlerë për qytetarët e Gjilanit dhe rajonit.
Pra, është dashur që të kalojnë më shumë se dy mandate qeverisëse që të marrë fund realizimi i këtij projekti. Natyrisht që ky projekt dhe ky donacion kanë qenë shumë i nevojshëm për të gjithë qytetarët e në veçanti për nxënësit e të gjitha niveleve, por edhe për studentët, pasi që qyteti jonë është tashmë qytet universitar, ku gravitojnë studentë nga disa komuna fqinje por edhe nga gjithë Kosova. Pra, biblioteka si do që ta quajmë, rajonale apo komunale, ajo nuk është më vetëm e Gjilanit, por i takon gjithë rajonit dhe si e tillë në kuptimin praktik mbetet rajonale.
Pra, lirisht mund të themi se jemi me fat, që në periudhën e pasluftës kemi një nga bibliotekat me të mëdha dhe më bashkëkohore në Republikën e Kosovës. Por biblioteka duhet vërtetë të jetë e tillë në plot kuptimin e fjalës.
Kohëve të fundit duket se nga ekzekutivi i komunës janë marrë veprime për të ndryshuar destinacionin e një pjese të kësaj biblioteke, duke e vendosura aty Drejtorinë e Kulturës, rinisë dhe sportit dhe stafin tjetër administrativ. Kjo është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në hapësirat e bibliotekës edhe ashtu të stërngarkuar me staf të tepërt, të punësuar pa konkurs, pa profesione përkatëse, të punësuarve me kontratë në vepër, të cilëve kryetari i komunës, paligjshëm, sapo ua ka vazhduar edhe për 6 muaj të tjerë.
Ndërhyrja dhe tjetërsimi i hapësirave të bibliotekës, duke ua ndërruar përcaktimin tyre, dëmton bibliotekën e në veçanti lexuesit. Nevojat për hapësira të librit e leximit do të vijnë duke u shtuar e jo duke u zvogëluar.
Është e pakuptimtë, e çuditshme dhe e pa pranueshme, që nxënësve dhe studentëve, madje edhe lexuesve në përgjithësi t’u merren hapësirat e leximit, për t’u bërë zyra të administratës, ku luhet me letra e me lojëra tjera në kompjuterë ose bëhen lexime të facebook-ut apo edhe shikohen filma, ndërsa podrumet e papërshtatshme të shndërrohen në salla leximi. Këtë mund ta bëjnë vetëm miopët, ata që peshën e rëndësisë së librit dhe dijes, leximit e studimit e kanë si çështje periferike dhe të parëndësishme. Akomodimi në zyra të reja me inventar të ri, nuk i bënë më të rëndësishëm njerëzit që e bëjnë këtë, por e rëndësishme është si i bëjnë punët, për të cilat janë ngarkuar.
Madje sikur komuna të ishte aq shumë në krizë për zyra të administratës e drejtorisë së kulturës, rinisë dhe sporteve, biblioteka do të duhej të ishte alternativa e fundit për të marrë zyra aty. Madje në një formë, më pranueshme do të ishte të vendosen në ish bibliotekën e vjetër, e cila vetëm pak kohë para se të zhvendoseshin në objektin e ri, ishin renovuar në tërësi, por jonë bibliotekën e re, e cila me sa dimë ne ende është nën monitorim të Komisionit Evropian.
LIGJI Nr. 04/L-097 për bibliotekat, neni 18, pika 2 thotë se: “ Biblioteka komunale themelohet me vendim të kuvendit të komunës”. Atëherë edhe ndërrimi i përcaktimit të një pjese të hapësirave të saj, do të duhet bërë vetëm me vendim të kuvendit komunal, për ndryshe këtë duhet kuptuar si uzurpim të hapësirave të bibliotekës.
Ne, por edhe qytetarët në përgjithësi e kanë të njohur faktin, se në kundërshtim me rregulloren komunale për bibliotekën, ajo nga të njëjtit është përdorë për fushatë zgjedhore të LDK-ës, ndërsa tash do të bëhen “hisedar” edhe në hapësira të bibliotekës.
Prandaj duhet inkurajuar dhe përshëndetur reagimin plotësisht të arsyeshëm të punëtorëve të bibliotekës, veprim ky që duhet të përkrahet nga të gjithë lexuesit, nxënës, studentë e qytetarë, OJQ-ët, e përfaqësues të institucioneve të tjera kulturore. Veprimeve të tilla arbitrare duhet thënë ndal. /2LONLINE.com/
/autori është kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, njëherësh anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit/