Duke ia dorëzuar këtë çmim kryetarit të Gjilanit, Qemajl Mustafa, në një ceremoni të veçantë, shefi i OSBE-së, ambasadori Verner Almhofer, ka thënë se biblioteka ligjore është një element qenësor i qeverisjes së mirë, për të shtuar se “është shumë e rëndësishme që puna jonë të bazohet në libra e dokumente, duke ua krijuar këtë mundësi edhe qytetarëve”.
Kreu i Gjilanit, Qemajl Mustafa, duke falënderuar shefin e OSBE-së në Kosovë dhe misionin që udhëheq ai, për përkrahjen që i kanë dhënë komunës së këtushme për themelimin e bibliotekës si dhe përgjithësisht qeverisjes lokale, ka thënë se mjafton një ide e mirë dhe pak investime që të bëhet diçka e rëndësishme për qytetarët.
“Biblioteka ligjore është një nga mekanizmat domethënës të transparencës së pushtetit dhe i ngritjes së vetëdijes së qytetarëve në raport me ligjin”, ka thënë Mustafa.
Aktualisht, biblioteka ka një fond prej 107 titujsh të librave dhe shumica prej tyre janë siguruar nga OSBE-ja, derisa një numër tjetër është dhuruar nga Qendra për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Prishtinës.
Ndryshe, në bibliotekën ligjore, qytetarët mund t`i gjejnë vendimet dhe rregulloret komunale si dhe vendimet dhe ligjet e Qeverisë dhe të Parlamentit të Kosovës si dhe literaturë tjetër të kësaj fushe. Duke e shfrytëzuar këtë mundësi që ofron biblioteka ligjore, qytetarët mund të mësojnë dhe t`i njohin më shumë ligjet dhe rregulloret në fuqi. /2lonline/