Shkruan: Qazim A. Azizi –magjistër i bibliotekarisë
Gjithçka kishte filluar në muajin gusht të viti 1938 për të arritur deri këtu, por jo pa sfida, probleme, avancim para, ngecje, dhe shpesh edhe hapa prapa.
Lexuesit, gjilanasit, shërbimet e librit dhe leximi ishin faktorët kryesor të cilët e sollën këtë xhevahir kulture dhe shpirtërore deri në ditët e sotme 84 vjet, një jetë e plotë njeriu.
Sigurisht, të etur për kulturë, dije e arsimim, ngarendje për avancimin vetjak, të familjeve të tyre, të shoqërisë, komunitetit, edhe vet kombit, ata, nuk reshtën asnjë ditë që të përdorin edhe bibliotekën e tyre, materialet librare, jo-librare dhe arkivore të saj për t’u arsimuar edukuar përditë – gjilanasit.
Biblioteka, jo rastësisht ishte hapur dhe jo rastësisht shqiptarët si komuniteti më i madh i qytetit treguan se ishin aty në mesin e shumë intelektualëve të kohës. Dhe kur thuhet se; një foto vlen sa njëmijë fjalë- ja një e tillë:
Foto e nxjerrë nga burime të fondit arkivor të bibliotekës.
Gjithsesi, sasia shtrirja e përhapja librit dhe leximit në bibliotekë për të gjithë komunitetet e Gjilanit nuk ishte e balancuar dhe barabartë asnjëherë nëpër jetëgjatësinë e vet institucionit.
Në fillim-vitet e para të punës së saj, libra në gjuhën shqipe ishin të pakta ose as nuk kishte fare, as që lejohej nga pushtetet kohës.
Por, si duket nga 68 anëtarë të klubit “Shoqata e Gilanasve”- iniciatorë të hapjes së bibliotekës së qytetit, punën më të rëndësishme të përhapjes e shpërndarjes së librit shqip e kishin bërë 11 anëtarë shqiptar të këtij klubi të Gjilanit të kohës.
Studentë, veprimtarë dhe intelektualë siç ishin Kurtesh Agushi- student e veprimtar, Ramiz Ahmeti, Kamber Ferhati, Nexhip Bejtullahu, Ali Aliu-rrobaqepës e tj., edhe përkundër vështirësive persekutimit e ndjekjes, ata e gjenin një mënyrë të përhapjes së librit edhe jashtë bibliotekës.
Edhe vitet e pas luftës së dytë botërore ishin të vështira sidomos për shqiptarët, sepse sasia e botimeve të librit, revistave dhe gazetave dhe ndikimi i tyre në shoqërinë komunitare të qytetit me rrethinë siç u cek edhe më lartë nuk ishte asnjëherë në proporcion me shtrirjen e numrin e popullsisë së Gjilanit.
Deri në vitet 60-të të shekullit të kaluar, libri shqip dhe lexuesi shqiptar në bibliotekën e qytetit qëllimshëm ishin të rrallë gjegjësisht spontan. Nga vitet 70-80-ta si meritë e rritjes së botimeve e shtimit të autorëve dhe intelektualëve, përkthimeve të shumta të letërsisë botërore dhe botimeve të tyre nga shtypshkronja më e madhe në Kosovë “Rilindja” fillon një epokë e artë e pasurimit me libra shqip të bibliotekës së qytetit, po ashtu në gjuhët tjera-turqisht, kroato-serbe, atë boshnjake si dhe në gjuhën rome etj.
Po gjatë asaj kohe u ndërrua edhe superstruktura e të punësuarve, shqiptarët për herë të parë si profesionist- bibliotekarë, shërbenin lexuesit e tyre, Ruzhdi Ushaku, prof dr (tani anëtar i ASHAK) mori pozitën e drejtorit të parë dhe udhëhoqi bibliotekën në kuadër të Shtëpisë së Kulturës së Gjilanit.
Siç edhe dihet viteve në vazhdim në Gjilan ishte hapur një dritare e madhe e librit shqip, viteve 70, 80 e deri në vitet 90-ta ky institucion i kulturës kishte krijuar identitetin e vet profesional edhe në nivel të kombëtar, disa herë ishte shpërblyer për cilësinë e shërbimit.
Vitet më rënda si për bibliotekën e Gjilanit, bibliotekat tjera si edhe në përgjithësi bibliotekarinë në Kosovë ishin vitet e 90-ta. Gjatë kësaj kohe pushteti serb, kishte krijuar një sistem shkatërrues të librit, të kulturës, dhe gjithçka që ishte ndërtuar me djersë dhe mund mori fund. Duke aplikuar fillimisht një Apartheid kulturor për t‘u zhytur në një zhdukje të gjithçka shqiptare, lirisht mund të quhet Kulturocid klasik kulturor.
Së pari u larguan nga vendet e punës profesionistët bibliotekar, lexuesit e anëtarësinë sidomos shqiptarët dhe në mënyrë primitive u përzunë nga sallat e leximit, pastaj shkatërroi dhe dogji bibliotekat, fondet librare të tyre, jo vetëm bibliotekat e Gjilanit. Dhe brutaliteti i shkatërrimit të kësaj trashëgimie shpirtërore shqiptare edhe sot nuk mund plotësisht të dokumentohet dhe të evidentohet saktë, siç shihet më poshtë në foto Biblioteka fshatit Llashticë e djegur plotësisht –objekti dhe gjithë fondi librar dhe inventari i bibliotekës.
Dhe një foto e bibliotekës së fsh. Llashticë sot, e rindërtuar:
Por, duhet të thuhet se edhe më optimistët dhe ambiciozët as dhe ëndërrimtarët e nismëtarët e shumtë të hapjes së bibliotekës së parë nuk do ta kishin besuar asnjëherë këtë sukses.
Aq sa edhe ne, asnjëherë nuk mund t’u jemi falënderues me emër dhe mbiemër për të gjithë punonjësit e deridjeshëm të institucionit, ndoshta asnjëherë nuk do të mund t’u gjendet masë matëse për të mirat dhe mundin e tyre.
Po ja ku jemi sot 84 vjet pas, nga ky hap fillestar dhe biblioteka e qytetit tani bart një emër po aq të madh “Fan S Noli”, është njëra ndër bibliotekat më të mëdha dhe më të bukura në Republikë.
Ajo sot ka një fond prej mbi 100 mijë ekzemplarësh të librave dhe materialeve bibliotekare, dhe në shtatë degë të saja me mbi 80 mijë libra.
Me një hapësirë pune me mbi 3600 metra katrorë, në sallat e leximit për një herë mund të sistemohen afërsisht 4oo lexues. Nga viti 2017 viti i hapjes së objektit të ri, numri anëtarëve të rregullt asnjëherë nuk ka rënë nën 5000, kurse numri i lexuesve dhe shfrytëzuesve të sallave të leximit gjithëherë ka qenë mbi 40 mijë në vit.
Vitin e kaluar e posaçërisht nga maji i këtij viti 2022 Biblioteka e moderne e qytetit është duke implementuar projektin e saj më ambicioz, të automatizojë procesin e vetidentifikimit, të regjistrimit, inventarizimit dhe pasurimit, huazimit të librit dhe të dhënies së shërbimeve tjera për lexuesit dhe përdoruesit e saj, përmes një Kartelë anëtarësie digjitale “Biblioteka ime”.
Fillimisht secilit anëtar përmes mail-it personal, i konfirmohet numri dhe anëtarësia dhe aty mund të identifikohet, anëtar/e i/e bibliotekës, dhe kështu do të zëvendëson kartelën e vjetër. Kjo kartelë anëtarësie e cila bartet në telefon të mençur por edhe të shtypur, secili nga lexuesit do të mund të shoh katalogun e bibliotekës, të rezervojë librin, të shoh për kërkesat dhe librat në fond.
Për lexuesit/ studiuesit biblioteka gjithashtu ofron në bazën e saj të të dhënave edhe shërbimin UNPAYWAL me mbi 31 milion artikuj shkencor të më shumë se 50 mijë botuesve apo repositorëve.
Deri në fund të vitit biblioteka mëton që përmes katalogut të saj elektronik të përmbledh mbi 80 % të librave dhe materialeve, fondet librare të sektoreve për fëmijë, shkencor dhe atij të vendlindjes janë përfunduar, pritet që të përfundojë edhe sektori i huazimit për të rritur. Duke besuar se këtë vit ky institucion do të kompletohet edhe me disa nga pajisjet akoma të nevojshme dhe viti jubilar të 85-ti do të na gjejë me një shërbim bibliotekar moderne e cilësor të tipit të bibliotekave më të avancuara- atyre të frymës evropiane. /2LONLINE/