Shkruan: Qazim A. Azizi
Gjithçka kishte filluar në muajin gusht të viti 1938 për të arritur deri këtu, por jo pa sfida, probleme, ecje para, ngecje, dhe shpesh edhe kthim në hapa të mëdhenj prapa.
Të parët ishin qytetarët e gjilanasit, që me hapjen e leximoreve të tyre, dhuruan librat e parë dhe huazuan poashtu, ishin faktori kryesor të cilët e sollën këtë xhevahir kulture dhe shpirtërore deri në ditët e sotme në 85 vjet- një jetë e plotë njeriu.
Gjithsesi, ky qytet i viteve 30-40 të shekullit të kaluar, në mungesë të çfarë do institucioni kulturor, nuk kishte as jetë të organizuar kulturore me që rast rrallë apo fare nuk jepej ndonjë shfaqje teatrale, rrallë apo fare nuk organizohej ndonjë ligjëratë as manifestim letrar edhe mund të quhej “ kasaba patetike”.
Po Biblioteka e qytetit në Gjilan, nuk ishte hapje e rastësishme, dhe jo rastësisht shqiptarët si komuniteti më i madh i qytetit treguan se ishin aty dhe, përmes “Shoqata e Gilanasve”- iniciatorë të hapjes së bibliotekës së qytetit, ata morrën barrën më të rëndësishme të përhapjes e shpërndarjes së librit shqip. Dhe, kur thuhet se; një foto vlen sa njëmijë fjalë- ja një e tillë:
1. Foto e nxjerrë nga burime të fondit arkivor të bibliotekës.
Në mesin e tyre 11ishin anëtarë shqiptarë të këtij klubi shumetnik të Gjilanit të kohës. Studentë, veprimtarë dhe intelektualë ms tyre, Ragip Bej Gejlani e Qamil Bala veprimtar e patriot, Kurtesh Agushi- student e veprimtar, Esad Ymeri po ashtu student i Juridikut në Beograd, dhe intelektualë tjerë si; Ramiz Ahmeti, Kamber Ferhati, Nexhip Bejtullahu, dhe Ali Aliu e tj.
Po ti referohemi historisë, ajo njeh entuziazëm dhe gëzim për hapje dhe po ashtu edhe shkatërrim mbylljet dhe djegiet e librave dhe bibliotekave. Që nga kohët e hershme të shkrimit dhe të bibliotekave nga Sumeranët 3400 vite para Krishtit, dhe shkatërrimi i tyre më vonshëm nga popuj e fise të ndryshme Mesopotame.
Apo siç njihet deri më tani i Biblioteka më e njohur e antikitetit Biblioteka e Aleksandrisë e ndërtuar nga Ptolomeu i II (285-246), P K, e cila për kohën ishte biblioteka më e madhe e vetme në botën antike ku brenda në raftet e saj mund të gjendeshin mbi 400 mijë apo deri në 1 milion dokumente të arkivuara, apo siç thuhej (shkrimet e gjithëmbarshme të njerëzimit) në papirus, edhe ajo u shkatërrua.
Autorja e biografja Stacy Schiff thotë, “kjo bibliotekë nuk i bëri ballë zilisë apo inatit – sepse ishte aq e bukur dhe aq e pasur, dhe ia kalonte shumëfish madhështisë së Romës së lashtë” e djegur nga Jul Cezari, romaku që asnjëherë se pranoi por ai ishte i fascinuar nga kjo bibliotekë dhe si duket (në një moment hidhërimi e xhelozie) u dogj dhe u shkatërrua tërësisht”.
Por, edhe vitet para dhe pas luftës së dytë botërore na shfaqen me djegie të veprave të autorëve më të njohur kundërshtarë të regjimeve naziste, fashiste dhe komuniste ashtu siç edhe bibliotekat ku gjendeshin librat e tyre. Këto regjimet (nazi-fashiste dhe komuniste) dogjën aq shumë libra e biblioteka vetëm nga urrejtja për racën dhe humanen, nga urrejtja ndaj intelektualizmit dhe njerëzve më mendjendritur të kohës në Gjermani, Austri Hollandë Francë, Rusi, Kinë, e plot vende tjera ish socialiste.
E me të drejtë Hajne i madh qysh më herët thoshte; “aty ku i vënë flakën librave e bibliotekave do të përfundojnë duke djegur njerëz”, apo thirrjen e mëvonshme të shkrimtarit Bavarez Oscar Maria Graf regjimit nazist “digjmëni dhe mua” pasi vetëm librat e tij kishin mbetur të bardha në librari, dhe ashtu ndodhi, ai iku në SHBA e pastaj dihen pasojat për njerëzimin gjatë LDB.
Pas LDB Kosova po edhe Gjilani pati kohëra të vështira sa i përket lirisë së përhapjes së librit gjithashtu të rihapjes së bibliotekave, sepse numri botimeve të librit, revistave dhe gazetave ishte i ulët, dhe ky fenomen në Gjilan me rrethinë nuk ishte i balancuar, ishte qëllimshëm i pabarabartë dhe asnjëherë në proporcion me shtrirjen e numrin e popullsisë së Gjilanit.
Por, Intelektualët Kosovarë e kishin të qartë dhe të vetëdijshëm se vetëm dija i qonte përpara, po ashtu edhe gjilanasit.
Dhe, nga vitet 70-80-ta por edhe si meritë e rritjes së botimeve e shtimit të autorëve, përkthimeve të shumta të letërsisë botërore dhe botimeve të tyre nga shtypshkronja më e madhe në Kosovë “Rilindja” filloi një epokë e artë e pasurimit me libra shqip të bibliotekës së qytetit, po ashtu në gjuhët tjera.
Po gjatë asaj kohe u ndërrua edhe superstruktura e të punësuarve, shqiptarët për herë të parë si profesionist- bibliotekarë, shërbenin lexuesit e tyre, Ruzhdi Ushaku, tani anëtar i ASHAK) dhe më vonë Ibrahim Shabani i dhanë drejtim dhe për herë të parë dhe udhëhoqën bibliotekën në kuadër të Shtëpisë së Kulturës së Gjilanit.
Atyre viteve e në vazhdim në Gjilan ishte hapur një dritare e madhe e kulturës së leximit dhe librit shqip, ky institucion i kulturës kishte krijuar identitetin e vet profesional edhe në nivel të kombëtar dhe disa herë ishte shpërblyer për cilësinë e shërbimit ndaj lexuesit, sepse aty ishin; shkrimtari e autori i mirënjohur për fëmijë Ali Huruglica, e bibliotekarët tjerë Sahit Emini, Shefki Osmani, Shefki Grabovci dhe Shefki Sylejmani etj.
Kjo punë e madhe u rrënua dhunshëm (në vitet e 90-ta) vitet më të rënda për bibliotekën e Gjilanit dhe bibliotekat e Kosovës. Sepse pushteti antikulturor e gjenocidal serb, kishte krijuar një sistem shkatërrues të librit, të kulturës, dhe gjithçka që ishte ndërtuar me djersë dhe mund mori fund. Kështu duke aplikuar fillimisht një Apartheid kulturor për t‘u zhytur në një zhdukje të gjithçka shqiptare, lirisht mund të quhet Kulturocid klasik kulturor.
Së pari u larguan nga vendet e punës profesionistët bibliotekar, sidomos shqiptarët dhe në mënyrë më primitive u përzunë lexuesit e anëtarësinë nga sallat e leximit, pastaj shkatërroi dhe dogji bibliotekat, fondet librare të tyre, jo vetëm bibliotekat e Gjilanit.
Më poshtë në foto Biblioteka fshatit Llashticë e djegur plotësisht –objekti dhe gjithë fondi librar dhe inventari i bibliotekës, e rinovuar pas luftës së fundit në Kosovë.
Fot 2 një foto e bibliotekës së fsh. Llashticë sot, e rindërtuar:
Aq sa edhe ne, asnjëherë nuk mund t’u jemi falënderues me emër dhe mbiemër për të gjithë punonjësit e deridjeshëm të institucionit, kjo nuk do të ishte arritur kurrë edhe pa sakrificën e…
….Ju sigurisht i keni parë para bibliotekës dy busta të dëshmorëve Pajazit Ahmeti e Alban Ajeti dhe shumë dëshmorëve tjerë në mesin e tyre heroi Agim Ramadani në qendër të qytetit, e ata dhanë jetën që ne të gëzojmë lirinë dhe lirshëm frymojmë dhe po të doni ta gëzojmë edhe këtë bibliotekë.
Po ja ku jemi sot 85 vjet pas, nga ky hap fillestar dhe biblioteka e qytetit tani bart një emër po aq të madh Fan S. Noli, njëra ndër bibliotekat më të mëdha dhe më të bukura në Republikë.
F 3.Godina e Bibliotekës së Qytetit “Fan S Noli Gjilan
Biblioteka sot ka një fond prej mbi 110 mijë ekzemplarë të librave dhe materialeve bibliotekare, dhe mbi 80 mijë libra në degët e saja.
Në këto 85 vjet e sidomos kohëve të fundit janë dhjetëra a qindra emra të intelektualëve, janë pa fund qytetar gjilanas, autorë, shkrimtarë e gazetarë e botues që bibliotekës së qytetit të tyre i kanë dhuruar bibliotekat personale e librat e tyre, siç është edhe rasti i fundit –intelektualit e gazetarit Kurtesh Devaja). Në mesin e atyre do të mund ti përmend edhe disa tjerë siç;
Akademik Idriz Ajeti- me dedikim, dhuroi tërë bibliotekën personale, bibliotekës së qytetit Gjilan
Diplomati e gjilanasi ynë Enver Tali, bibliotekën personale,
Po ashtu edhe shkrimtarët; Dan Mehmeti e Hysen Këqiku,
Jnaë Sabit Rrustemi, Ismajl Zylfiu, Mehmetali Rexhepi, dr. Faik e Shefik Shkodra prof dr. Bahtjar Kryeziu që kanë dhuruar me qindra libra autorial.
Dua të kërkoj falje sepse,
Kjo kumtesë sot nuk mund ti përmblidhte të gjitha ngjarjet 85 vjeçare të këtij institucioni, sepse janë qindra orë letrare e aktivitete tjera, mijëra e mijëra libra të promovuar, janë shumë donatorë dhe miq të bibliotekës (njëri ndër ta edhe dr. Naim Musliu -ish student i bibliotekës) dhe vetëm një Monografi e zgjeruar e Bibliotekës do ti zinte këto ngjarje e emra.
Dhe vijmë në një datë të rëndësishme 19 shtator 2017 viti i hapjes së objektit të ri të kësaj biblioteke. Me një hapësirë pune me mbi 3600 metra katrorë, me 5 sallat e leximit që për një herë mund të sistemohen afërsisht 350 -4oo lexues, numri anëtarëve të rregullt asnjëherë nuk ka rënë nën 5000, kurse numri i lexuesve dhe shfrytëzuesve të sallave të leximit gjithëherë ka qenë mbi 40 mijë në vit.
Sa për ilustrim vetëm një sektor i bibliotekës, ai i fëmijëve, nga viti ‘’99-2022 ka pasur të regjistruar 31094 anëtarë dhe me mbi 322 mijë libra të huazuar e në përgjithësi mund të flitet për mbi 1 milion huazime e shërbime për lexuesit e saj .
Biblioteka e qytetit në arkivin e saj ruan edhe një nr të konsiderueshëm të librit të veçantë, por, fondi më i rëndësishëm dhe i gjerë është ai i periodikut dhe fondi arkivor i saj.
Tri vitet e kaluara e posaçërisht nga maji i këtij viti 2022 Biblioteka e moderne e qytetit është duke implementuar projektin e saj më ambicioz, Programin Elektronik të Automatizimit COBISS në procesin e anëtarësimit të regjistrimit, inventarizimit dhe pasurimit, huazimit të librit dhe të dhënies së shërbimeve tjera për lexuesit dhe përdoruesit e saj, përmes një Kartelë anëtarësie digjitale “Biblioteka ime”.
Kartela e digjitalizuar e anëtarësisë mund të bartet në telefon të mençur, dhe secili nga lexuesit do të mund të shohë njoftimet e përgjithshme të bibliotekës, librit të rezervuar, afatit dhe përfundimit të huazimit, katalogun e bibliotekës, të rezervojë librin, të shoh për kërkesat dhe librat në fond, të shoh gjithashtu edhe gjobat e pashlyera.
Për lexuesit/ studiuesit biblioteka gjithashtu ofron në bazën e saj të të dhënave edhe shërbimin UNPAYWAL me mbi 31 milion artikuj shkencor të më shumë se 50 mijë botuesve apo repozitorëve.
Deri në fund të vitit 2023 biblioteka mëton që përmes katalogut të saj elektronik të përmbledh gati 100 % të librave revistave dhe materialeve të saja.
Duke besuar se këtë vit ky institucion do të kompletohet edhe me disa nga pajisjet akoma të nevojshme dhe si vit jubilar të 85-ti do të na gjejë me shërbim bibliotekar kompletuar dhe modern të tipit të bibliotekave më të avancuara- atyre të frymës evropiane.
Dhe krejt në fund..!
Juve të pranishëm dhe gjithë qytetarëve të Gjilanit
Urime e Gëzuar 85 vjetori i Bibliotekës ..! /2LONLINE/