Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur të enjten në takim njohës ambasadoren e re të Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, e cila i dorëzoi kopjet e letrave kredenciale.
Ministri Hoxhaj i uroj ambasadores Viets mirëseardhje në misionin e ri në Kosovë, duke e njoftuar për progresin, forcimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar, si dhe për proceset e tjera të rëndësishme në politikën e jashtme kosovare.
Hoxhaj ka veçuar angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e agjendës integruese evropiane.
Ministri i Jashtëm kosovar ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e Gjermanisë për Kosovën, me theks të veçantë në proceset integruese evropiane.
Duke vlerësuar lartë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve, Hoxhaj theksoi vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtutjeshëm të shkëmbimeve me Gjermaninë, si një ndër partnerët kryesor strategjik të Republikës së Kosovës.
Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, theksoi vullnetin e Gjermanisë për fuqizimin e bashkëpunimit bilateral, duke shprehur angazhimin e saj të fuqishëm në këtë drejtim gjatë shërbimit të saj në Kosovë.