“Sot Kuvendi Komunal i Gjilanit miratoi propozimin tim si asamblist për t’ju dalë në ndihmë bizneseve gjilanase”, ka bërë me dije Burim Berisha, anëtar i këtij Kuvendi nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Sipas tij, ishin katër pikat e propozuara:
1. Lirimin e bizneseve nga pagesa të cilat shfrytëzojnë hapësirat publike sezonale apo vjetore;
2. Lirimin e bizneseve të reja të cilat regjistrohen në këtë vit (2021) nga pagesa e tarifës për pranim teknik të lokaleve;
3. Lirimin nga pagesa e qirasë mujore për vitin 2021 të gjitha bizneset që kanë në shfrytëzim lokalë të K.K. Gjilan;
4. Lirimin nga pagesa për bizneset të cilat aplikojnë për pëlqim sanitar për vitin 2021.
“Kuvendi dhe qeverisja komunale dëgjuan zërin e bizneseve duke i votuar këto 4 pika të cilat do ta ndihmojnë në masë të madhe funksionimin e bizneseve. Ne në seancën e radhës në bashkëpunim të ngushtë me Kryetarin, Nënkryetarin dhe Kuvendin Komunal do të mundohemi t’ju gjejmë mundësi ligjore dhe financiare që pakon e dytë të cilën e kam prezantuar më herët të bëjmë realitet dhe të jemi krahu I bizneseve”, ka thënë Berisha, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ai shtoi se pandeminë mund ta përballojmë vetëm së bashku, duke bërë politika të drejta dhe në mbështetje të bizneseve të cilat po kalojnë vitin e dytë më të rëndë në likuiditetin dhe funksionimin normal. /2LONLINE.com/