Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” dega në Gjilan, e cila funksionon në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, ka ndarë 100 pako ushqimore për familjet me gjendje të rëndë sociale.
Pakot ushqimore ishin të përgatitura me gjërat më elementare për të përgatitur sofrën e iftarit, si: miell, sheqer, vaj, kripë , fasule, makarona etj.
Këto pako ishin donacion nga Shoqata Kulturore Humanitare ”Istanbul”, e cila aktivitetin e saj në Kosovë e zhvillon që nga paslufta e deri më tani.
Ky aksion humanitar është vetëm sa për të shënuar fillimin e muajit të madhërishëm të Ramazanit, ndërsa aktiviteti i shoqatës do të vazhdojë deri sa të arrijnë te skamnori i fundit.
“Në të njëjtën kohë bëjmë thirrje nga xhemati që aksionin me sloganin “Sofra e Ramazanit” ta përkrahin duke dhuruar 25 euro për një pako ushqimore, ndërsa ne do të përkujdesemi që pakoja e dhuruar të arrijë në familjen e merituar”, thuhet nga drejtuesit e kësaj shoqate.
Aksioni për grumbullimin e mjeteve për përgatitjen e pakove ushqimore mbahet prej namazit të xhumasë, në secilën xhami të komunës së Gjilanit. /2LONLINE.com/