Njohësi i proceseve politike në vend, Behlul Beqaj, ka vlerësuar se më përjashtim të disa deputetëve, kjo legjislaturë aktuale ka përçuar imazhin me të keq të mundshëm të një laboratori eksperimental politik.
“Në përjashtim të disa deputetëve, kjo legjislaturë ka përçuar imazhin më të keq të mundshëm të një laboratori eksperimental politik që ka për qëllim mbijetesën personale, pavarësisht nga dëmi që i shkaktohet interesit publik”, ka deklaruar Beqaj.
Beqaj në një intervistë për “Epokën e re”, ka thënë se legjislatura aktuale ka shërbyer si instrument për nevojat e kryeministrit Thaçi. Ai ka thënë se nëse nuk shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare do të vazhdojë katandisja që do ta rrezikojë konsolidimin e shtetit dhe do të na shpjerë drejt rrugës së shteteve të dështuara.
“Zgjedhjet nuk janë zgjidhje për problemet e shumta nëse riciklojnë forcat ekzistuese të pushtetit dhe opozitës, por vazhdimi i katandisjes do ta rrezikojë konsolidimin e shtetit dhe do të na shpjerë drejt rrugës së shteteve të dështuara. Duhet ndërruar raportin e forcave. Më mirë është t’ua japim votën atyre që nuk kanë qenë në pushtet sesa atyre që e kanë keqpërdor pushtetin dhe votën tonë. Për pushtetarët e sotëm jemi të sigurt se do ta vazhdojnë rrugën e keqpërdorimeve, ndërsa për të rinjtë mund të shpresojmë se do të sillen ndryshe”, ka theksuar Beqaj.
Duke folur për vazhdimin e vendeve të rezervuara për minoritetet, Beqaj ka thënë se stabiliteti i Kosovës më shumë do të rrezikohet nga vendet e rezervuara sesa që do të ketë shkasë të mbrohet nga Forcat e Armatosura të Kosovës.