Familjet e viktimave të fshatit Tërrnje, komuna e Suharekës, e kanë informuar gjyqtaren MirjanaIliq, kryetare e Departamentit për krime të luftës në Beograd, njëherazi kryetare e Trupit gjykues në lëndën kundër oficerëve Rajko Kozlina dhe Pavle Gavrilloviqit, për vrasjen e 27 grave, fëmijëve dhe pleqve në datën 25 mars të vitit 1999, se nuk do të marrin më pjesë në procedurën e mëtejme për shkak të vendimit mbi përjashtimin e përfaqësuesve të të dëmtuarve, avokatëve nga Kosova, me arsyetimin se nuk kanë qenë të regjistruar në Odën e Avokatëve të Serbisë.
Fondi për të Ddrejtën Humanitare në Kosovë, nëpërmjet një komunikate, konsideron se gjyqtarja MirjanaIliq nuk i respekton standardet e arritura në përfaqësimin e të dëmtuarve nga Kosova në lëndët e krimeve të luftës dhe reparacionet para gjykatave në Serbi, në të cilat të dëmtuarit, pa kurrfarë problemesh, i përfaqësojnë avokatët nga Kosova, dhe se vendimi nuk është i bazuar në arsye juridike.
FDH Kosovë i bënë ftesë gjyqtares Iliq që ta anulojë vendimin e saj dhe që të mundësojë që gjykimi për kryerësit e krimeve të rënda të fillojë me anë të pjesëmarrjes së dëshmitarëve të krimit dhe të anëtarëve të familjeve të viktimave.