(2LONLINE) – Shkollat e komunës së Vitisë, deri më tani nuk kanë pasur qasje me internet, në përjashtim të ndonjërës prej tyre ku menaxhmenti i shkollës ka qenë i kyçur sa për të kryer punët administrative.
Drejtoria e Arsimit në Viti, në mënyrë që të lehtësoj qasjen më të mirë karshi standardeve që parashikohen për një proces sa më në nivel , ka marrë vendim që të pajis shkollat fillore amë me lidhjen e internetit.
Qahil Sinani drejtor I Drejtorisë së Arsimit në Viti, theksoi se me qasjen në internet të 17 shkollave fillore të komunës së Vitisë, do të krijohen kushte më të volitshme për kabinetet e informatikës që të shfrytëzohen, sepse edhe nxënësit tanë duhet të kenë mundësin për të ecur me teknologji përpara.
Sinani po ashtu ka njoftuar se pas inspektimit të shkollave të komunës së Vitisë, ka hasur në defekte të shumta nëpër shkolla siç është rasti I mungesës së bankave shkollore në fshatin Smirë, ku pjesa dërmuese ishin të amortizuara dhe me urgjencë ka pajisur dy paralele me inventar të ri në banka.
“Jemi duke shqyrtuar mundësit që të intervenojmë gjithkund ku shohim se ka mangësi nëpër shkolla, çoftë në aspektin teknik po ashtu edhe atë profesional, në mënyrë që të kemi një zhvillim normal të procesit edukativo – arsimor”, tha drejtori Sinani./2lonline/