Në vitin 2012 BE ia dha Serbisë statusin e vendit kandidat. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet serbisë dhe BE-së hyri në fuqi në shtator të vitit 2013-të. Në janar të vitit 2014-të, 12 nga 35 kapituj janë hapur dhe dy janë mbyllur përkohësisht (23-24).
Shkruan: Fikri Mehemti
Kapitulli i 35-të dhe i fundit në rastin e Serbisë i dedikohet çështjeve të hapura me Kosovën dhe është paraparë të hapet që në fillim të negociatave së bashku me Kapitullin 23 dhe 24. Kapituj 23 dhe 24 bazohen në principet themelore të BE-së. Ai 23 ka të bëjë me lirinë, demokracinë, të drejtat e njeriut, rendi dhe ligji dhe përmban në vete katër segmente kryesore: gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit, të drejtat themelore të pakicave kombëtare, duke përfshirë edhe të drejtën e shprehjes, si dhe të drejtat e qytetarëve të BE-së.
Në Kapitullin 24 ka të bëjë me Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë. Ky kapitull mbulon rregullat e Schengenit, kontrollin e kufirit dhe vizat, migracionin, azilin, bashkëpunimin juridik në çështje të drejtësisë dhe kriminale, bashkëpunimin policor dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, bashkëpunimin në dogana dhe në luftimin e drogave.
Ritmi i përgjithshëm i bisedimeve deri tani nuk ka qenë i mirë. Serbia nuk ka shënuar progres në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, lirinë e medieve,dhe të drejtat e minoriteteve, si dhe nuk ka treguar gatishmëri për ta përmbushur njërin nga kapitujt më të rëndësishëm e që është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, kriter ky më i rëndësishmi në rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së. Kapitulli i 35-të do të jetë kapitull që në vazhdimësi do të plotësohet me marrëveshjet që derivojnë nga dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Marrëveshjet do të shndërrohen në kritere për Serbinë, dhe nga kriteret pastaj hartohet plani i veprimit ku Serbia detyrohet që në afate të caktuara kohore t’i implementojë. Avancimi në dialog është kriter-matës për Serbinë që të avancojë në rrugëtimin e saj drejtë anëtarësimit në BE.
Raporti i fundit periodik i BE-së (17 prill 2018), nuk i ka vlerësuar pozitivisht zgjedhjet e fundit presidenciale të mbajtura në Serbi. Poashtu raporti i BE-së kritikon Serbinë për vonesat e paarsyeshme në miratimin e ligjit të ri për Agjencinë Kundër Korrupsionit. Aty thuhet se korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz. E sa i përket lirisë së shprehjes dhe të drejtat e minoriteteve, raporti thotë se shteti serb ka ligj të mirë, por ai ligj duhet të jetësohet dhe të mos mbetet vetëm në letër.
Më datën 14 shtator 2018 Qeveria Serbe miratori raportin e katërt mbi zbatimin e Konventës në kuadër të mbrojtjes së pakicave kombëtare, dhe ky raport i është dorëzuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës më 18 shtator 2018-të. Në këtë raport shteti serb pretendon se ka pasur progres në respektimin e të drejtave të njeriut dhe plotësimin e nevojave të pakicave kombëtare.
Por, kjo demantohet nga raporti vjetor i Komisionit Evropian për Serbinë, i cili mbuloi periudhën nga tetori 2016 deri në prill 2018-të, të cilin shefi i delegacionit të BE-së në Serbi Sem Fabrizi ia dorëzoi më 17 prill Kryeministres së Serbisë Anja Brnabić. Në këtë raport nga BE, i kërkohet serbisë që të tregohet serioze dhe e përgjegjshme në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, lirisë së medias, dhe trajtimin më të mirë të pakicave kombëtare.
Serbia njihet si vendi në të cilin është i theksuar diskriminimi mbi baza kombëtare. Kemi komunitetin shqiptar dhe rom, të cilët janë të diskriminuar në të drejta elementare të njeriut, pavarsisht që Serbia është nënshkruese e Kartave Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ajo nuk heziton ti shkele ato, dhe për këtë nuk ka vlerësim pozitiv në raportet periodike që nga viti 2012-të, deri në raportin e fundit të këtij viti nga BE, në të cilin i kërkohet qeverisë serbe që të tregoje progres në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, lirisë së medieve dhe mbrojtjen dhe plotësimin e kërkesave të pakicave kombëtare – minoriteteve.
Në raportin e fundit BE i ka rekomanduar Serbisë që sa më shumë të investoje në promovimin e të drejtave të minoriteteve në shoqëri, aq sa i ka sugjeruar që në shkollat e mesme të ketë lëndë të veçantë ku do të ligjërohet për të drejtat e njeriut, ndërsa në fakultete juridike dhe në shkenca politike të jetë lëndë obligative për studentët, që populli serb ti respektoje të drejtat e njeriut pavarsisht dallimeve kombëtare.
Serbia ka marrëveshje të shkruara me vendet si Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Hungaria dhe Rumania, për ti mbrojtur dhe siguruar qytetarët e tyre të cilët janë minoritete në Serbi, e një marrëveshje të tillë nuk e ka me Kosovën, e as me Shqipërinë, për ti mbrojtur dhe siguruar minofitetin shqiptar.
Por, mungesën e një marrëveshjeje me shtetin shqiptar e ka komentuar deputeti serb Çotriç, i cili tha se delegacioni i parlamentit serb, i përbërë nga anëtarë të diasporës dhe Serbë në rajon, kishin vizituar Shqipërinë, por aty kanë parë se Shqipëria nuk ka ligj për minoritetet, ndaj Serbia e ka të pamundur të nënshkruaj një marrëveshje dypalëshe rreth mbrojtjes së pakicave të dy vendeve.
Minoriteti shqiptar, apo shqiptarët e Luginës së Preshevës (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), ballafaqohen me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut. Edhe pse sipas ligjit për pakicat kombëtare, minoriteti shqiptar ka të drejtë të mësoje në shkolla fillore dhe të mesme gjuhën amtare nga tekste në gjuhën Amtare, atyre iu ndalohet nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë që të mësojnë nga tekste të importuara nga Kosova, ose nga Shqipëria por të cilat kanë përmbajtje historike, kulturore, tradicionale për Kosovën. Dhe kjo ndalesë shkelë ligjin për pakicat kombëtare, konkretisht nenin 3, 12,13, dhe 15-të, të ligjit për mbrojtjen, sigurinë dhe lirinë e pakicave kombëtare në Serbi.
Sipas Neni 3, të ‘’Ligji për të drejtat dhe liritë nacionale të pakicave’’, thuhet:
‘’Ndalohet çdo formë diskriminimi në baza kombëtare, etnike, racore, gjuhësore, ndaj personave që i përkasin pakicave kombëtare’’.
Neni 12, ‘’E drejta për të kultivuar kulturën dhe traditën’’, thotë:
‘’Shprehja, ruajtja, edukimi, zhvillimi, transmetimi dhe publikisht shprehja e karakteristikave kombëtare dhe etnike, kulturore, fetare dhe gjuhësore si pjesë e traditës së qytetarëve, pakicave kombëtare dhe anëtarëve të tyre, është e drejta e tyre e patjetërsueshme individuale dhe kolektive’’.
Neni 15, thotë:
‘’Anëtarët e pakicave kombëtare kanë të drejtë të krijojnë dhe mbajnë institucione arsimore private, shkolla apo universitete, ku arsimi do të organizohet në gjuhët e pakicave kombëtare ose dygjuhësore, në përputhje me ligjin’’.
Përveç se nuk u lejohet mësimdhënia dhe mësimnxënia nga tekste të importuara nga Kosova, në të cilat ka kulturë, traditë e histori shqiptare, shumë herë u ndalohet edhe promovimi i simboleve kombëtare gjatë festave kombëtare. Shqiptarët nuk janë të përfaqësuar as mesatarisht në institucione publike, si dhe investimet kapitale nga niveli qëndrorë në dy komunat me shumicë shqiptare është diskriminues karshi komunave tjera serbe, të cilat janë afër vendbanimeve shqiptare.
Shqiptarët në jug të Serbisë ç’regjistrohen nga librat Amzë, iu pasivizohet shtetësia nëse kërkojnë të jetojnë ose punojnë diku tjetër jashtë territorit të shtetit serb, e në anën tjetër mos interesimi i nivelit qëndrorë për ti zhvilluar ekonomikisht dy komunat me shumicë shqiptare, siç i ka zhvilluar komunat tjera, ka bërë që niveli i papunësisë të jetë mbi 80 %, nëse i referohemi raporteve të fundit kredibile. Poashtu shumë të rinjë shqiptar janë duke ikur drejtë vendeve të BE-së, për të kërkuar punë dhe një jetë më të mirë.
Diskriminimi nuk ndalon vetëm në mos investime kapitale nga niveli qëndrorë, minoriteti Shqiptar poashtu ballafaqohen edhe me pasivizim të shtetësisë nëse ikin diku tjetër për një jetë më të mirë. E shumë shqiptar të cilët janë larguar gjatë luftës së fundit nga Serbia, më 23 qershor 1999, dhe aktualisht jetojnë në Kosovë dhe Shqipëri, u është pasivizuar shtetësia dhe shteti Sërb nuk pranon ti pajisë me shtetësi, indirekt nuk pranon ti rikthejë si qytetarë të saj. Zonat të cilat kanë qenë të banuara para vitit 1999-të, me shqiptar, veçanërisht brezi kufitarë në Bujanoc dhe Preshevë, janë zbrazur dhe ka 17 vite që aty janë stacionuar ushtria Serbe.
Serbia ka arritur marrëveshje të ndryshme me Kosovën, por asnjëherë nuk i ka respektuar dhe nuk i ka ekzekutuar, prandaj liderët politik të shqiptarëve të Luginës vazhdimisht kërkojnë respektimin e parimit të reciprocitetit nga qeveria serbe. Serbia vazhdon t’i maltretojë minoritetin shqiptar në kufijtë me Kosovën duke i detyruar të i ndrrojnë tabelat e veturave, dhe të paguajn taksa diskriminuese, edhe pse sipas marrëveshjeve të arritura në Bruksel nuk do të duhej të ekzistonin këto taksa.
Këtë vit Serbia ka filluar të mos i lejoje minoritetin shqiptar të lëvizin me vetura të regjistruara në Kosovë, ose me patent-shofer nga Republika e Kosovës, kështu duke i detyruar padrejtësisht që vetura dhe lejeqarkullimi të jenë nga një vend i vetëm.
Këto dhe shumë fenomene tjera diskriminuese ndaj minoritetit Shqiptar, Serbia duhet të reflektoje dhe përmirësoje, ashtu siç i kanë të rregulluara të drejtat e tyre dhe i gëzojnë në Kosovë minoriteti serb.
Ndryshe raporti i MSA-së, nuk do të mund të kalohet duke i plotësuar kapitujt vetëm pjesërisht, veçanërisht kapitujt 23,24 dhe 35-së. Nuk kemi të bëjmë me kritere të thjeshta, por me parime themelore të BE-së.