Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë dhe shefat e misioneve të shteteve anëtare të BE-së kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, me të cilën kanë vlerësuar “mënyrën transparente” të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.
Ata po ashtu kanë thënë se janë duke përcjellë procesin e konstituimit të Kuvendit dhe se janë duke iu përmbajtur parimit të mosndërhyrjes në të.
Përfaqësuesit evropianë në Kosovë kanë theksuar edhe “rëndësinë e madhe të vazhdimit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, që do të çonte në normalizimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve me Serbinë.
“Ky përkushtim, siç është theksuar qartë në Marrëveshjen për Stabilizim Asociimit, të inicializuar së fundmi, ka ndikim të drejtëpërdrejtë në rrugën evropiane të Kosovës dhe kësisoj është në interesin vital të Kosovës. Ne presim që qeveria e ardhshme e Kosovës të vazhdojë të implementojë marrëveshjet, si dhe të përkushtohet dhe angazhohet për ta çuar normalizimin përpara”, thuhet në deklarëtn e përbashkët të përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë dhe shefave të misioneve të shteteve anëtare të BE-së.