Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet në qëndrimin e vet për përfshirje të ekspertëve ndërkombëtar në një hetim gjithëpërfshirës për zbardhjen e të gjitha paqartësive të ndërlidhura me rastin e Kumanovës.
Procesi i gjykimit dhe dëshmitë e protagonistëve nxorrën në sipërfaqe dilemat rreth organizatorëve dhe motiveve të këtij rasti të rëndë, prandaj qytetarët kanë nevojë ta kuptojnë të vërtetën e plotë.
Pjesë të dëshmive si dhe materialeve me të cilat qytetarët kishin mundësi të njoftohen nëpërmjet të mediave aludojnë në përfshirjen e dyshuar edhe të përfaqësuesve zyrtar të institucioneve më të larta të shtetit në komunikim me protagonistët e ngjarjes.
Prandaj, ftojmë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe autoritetit e sundimit të së drejtës që të përfshijnë ekspert ndërkombëtar në hetimin e rastit si dhe të vendosin komunikim dhe bashkëpunim edhe me autoritetit e Kosovës dhe Shqipërisë në shkëmbimin e informacioneve drejt zbardhjes së tërësishme.
BURIMI: tetovasot.com