Poeti korçar Skender Rusi nderohet me Çmimin e Parë – Në mesin e të shpërblyerve edhe Nijazi Ramadani

Poeti korçar Skender Rusi nderohet me Çmimin e Parë – Në mesin e të shpërblyerve edhe Nijazi Ramadani

Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, në teren të hapur në amfiteatrin e Gjimnazit “Ismet Jashari” në Likovë, organizoi edicionin e 28-të me radhë të manifestimit tradicional kulturor-letrar “Takimet Poetike të Karadakut”.

Kryetari i Klubit, Fatos Rushiti, në fjalën e tij u shpreh se nuk janë pak plotë 28 vite që Klubi ynë me plot vullnet dhe dëshirë mbledh shumë poetë e poete anembanë trojeve shqiptare, duke i dhënë tradicionalitet, ndjeshmëri e shije të lartë estetike rrjedhës së këtij manifestimi.

“Profesionalizmi, paanshmëria, mikpritja, vlerësimi adekuat, tingujt e pianos dhe kitarës, jehona e poezisë kumanovare ndër krijues të mirëfilltë shqiptarë, dhe jo vetëm, kanë bërë qe ky manifestim të merr vëmendjen e duhur nga vetë institucionet shtetërore në shtetin tonë dhe të përkrahet në vazhdimësi”, u shpreh Rushiti, shkruan jekaradaku.org.

Në kujdesin e poetëve të rinj, Emra Bilalli dhe Arta Selmani, u lexuan artistikisht dhjetëra krijime letrare të poetëve nga mbarë hapësira shqiptare, si: Skënder Rusi (Korçë), Rakela Zoga (Selanik), Nexhat Çoçaj (Prizren), Behare Neziri (Tetovë), Sabit Rrustemi (Gjilan), Majlinda Toma (Lezhë), Farida Ramadani (Shkodër), Bilall Maliqi (Preshevë), Agim Bajrami (Durrës), Abdurrahman Thaçi (SHBA), Nijazi Ramadani (Gjilan), Ejup Ajdini (Tetovë), Arben Rashkaj (Prizren), Kujtim Morina (Tiranë), Berat Baftiu (Prizren), Arjan Kallço (Korçë), Sarë Gjergji (Viti), Liridona Shehu (Prishtinë), Eduard Konica (Athinë). Ndërsa, nga poetët vendas që ishin prezent, poezi lexuan: Burhanedin Xhemaili, Arben Ibrahimi, Sunaj Raimi, Ismail Ganiu, Nuri Rexhepi-Dana, Selajdin Shabani, Sevdail Demiri, Kreshnik Sopaj, Shpresa Jashari, Arta Selmani, Emra Bilalli,

Më pas juria në përbërje: Sunaj Raimi, Arben Ibrahimi dhe Selajdin Shabani, u përcaktuan për këto poezi më të mira, të cilat u nderuan me Çmimin “Fadil Bekteshi”. Vendi i parë i takoi poetit korçar Skender Rusi me poezinë “Ditë pa mëngjes”, vendi i dytë poetit kumanovar që jeton dhe vepron në SHBA, Abdurrahman Thaçi, për poezinë “Nga të shkoj”. Ndërsa, në çmimin e tretë u vlerësuan poeti gjilanas Nijazi Ramadani për poezinë “Amaneti i nanës”, si dhe poeti kumanovar Kreshnik Sopaj për poezinë “Ana ime”, shkruan jekaradaku.org.

Në pjesën tjetër të manifestimit, kryetari i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”, Fatos Rushiti, ndau disa plaketa, në shenjë mirënjohjeje e falënderimi për angazhimin dhe bashkëpunimin e suksesshëm. Plaketë iu nda ministrit të Kulturës, Hysni Ismaili, për mbështetjen e manifestimit; botuesit të gazetës kulturore-letrare nga Tirana “Nacional”, Mujo Buçpapaj, për kontributin e tij në përkrahjen e autorëve nga Kumanova dhe mbarë hapësirën shqiptare në gazetën që drejton; drejtorit të Agjencisë së lajmeve INA, Naser Pajaziti, si dhe një plaketë e veçantë iu nda ish-kryetarit të Klubit, Sevdail Demiri, për kontributin e tij në udhëheqje për tetë vite me Klubin e Shkrimtarëve “Jehona e Kardakut” dhe për ndërtimin e urave të bashkëpunimit me klubet letrare në Preshevë, Gjilan, Viti dhe Tetovë. Një mirënjohje iu nda edhe Gjimnazit “Ismet Jashari” në Likovë, për bashkëpunimin shumë miqësor dhe korrekt në organizimin e këtij manifestimi.

Programi u përcoll nën tingujt e pianos së profesorit të muzikës, Eroll Ganiu, ndërsa të pranishmit patën rastin të marrin edhe botimin më të ri të Klubit, numrin 58 të revistës tradicionale kulturore “Doruntina”.

Manifestimi tradicional “Takimet Poetike të Karadakut”, mbahen për çdo 11 mars për nderë të kujtimit të demonstratave të ’81-shit të studentëve të Universitetit të Prishtinës. Mirëpo, edhe përkundër përgatitjeve me kohë, që ky manifestim të mbahej më 11 mars 2020, u shty për shkak të përkeqësimit të gjendjes epidemiologjike.

Manifestimi i përvitshëm “Takimet Poetike të Karadakut” u përkrah financiarisht nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe pjesërisht edhe nga komunat e Likovës dhe Kumanovës.

BURIMI: Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”

KOMENTE