Në orët e hershme të paradites së sotme Policia Serbe në një aksion të ndërmarrë në fshatin Bilaç të komunës së Bujanocit ka bastisur tri shtëpi, nëmesin e tyre edhe të ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Siç ka mësuar portali informativ Titulli, kjo bastisje në këtë vendbanim të banuar kryesisht me shqiptarë, ka mbjellë frikë te qytetarët, ndërsa familjet e bastisura kanë mbetur të traumatizuar.
Me rastin e këtij aksioni nuk ka arrestime, kurse sipas kryetarit të Lëvizjes së Progresit Demokratik, njëherit edhe të Kuvendit Komunal në Bujanoc, Jonuz Musliu, policia nuk ka arrit të gjejë asgjë në shtëpinë e ish pjesëtarit të UÇPMB-së , Nexhmedin Osmanit.
“Arrestimet, bastisjet ndaj ish luftëtarëve të UÇPMB-së nuk kanë të ndalur. Qëllimi kryesor i kësaj qeverie, sikurse atyre të mëhershmet, është shpërngulja e shqiptarëve nga trojet stërgjyshore, ndërsa tani edhe ndaj banorëve të fshatit Bilaç”, i tha portalit informativ Titulli, kryetari Musliu.
Ai u shpreh se shqiptarët e këtij rajoni nuk kanë ku të shkojnë. Sipas Musliut në këtë aksion policor janë bastisur tri shtëpi, e Nexhmedin Osmanit dhe vëllezërve të tij.
Policia ishte në kërkim të armëve, që sipas burimit të Titullit nuk ka arritur të gjejë në pronën e kontrolluar.