(e plotesuar) – Policia e EULEX-it po bastis edhe shtëpinë e Qefser Bahollit, ish-truprojës dhe shoferit personal të Ibrahim Rugovës.
Burime brenda policisë i thanë Koha.net se dyshohet që ai të jetë pjesë e grupit të Ukë Rugovës, tashmë i arrestuar.
Ukë Rugova dhe të tjerët dyshohen për shitblerje vizash
Njoftimet për arrestimin e deputeti Ukë Rugova, djalit të presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, dhe një grupi me të cilët dyshohet se ka bërë shitblerje vizash, tashmë janë konfirmuar edhe nga burime brenda EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.
Mirëpo, ende nuk është saktësuar numri i të arrestuarëve në këtë rast. Më herët, burime të ndryshme i kanë thënë “Koha.netit” edhe për shtatë të tjerë të arrestuar, pos Rugovës. Ndërkohë, raportohet për 5 sish.
Bajram Tmava, avokat i Rugovës, ka konfirmuar për KTV-në arrestimin e klientit të tij dhe masën e arrestit prej 48 orësh. Arrestimin e ka konfirmuar edhe EULEX-i. “Ukë Rugova është një nga të arrestuarit”, thuhet në një njoftim për media, ku shtohet se operacioni i bastisjes dhe arrestimeve po bëhet ndaj një grupi kriminali.
“Sot në mëngjes ka filluar një operacion bastisjeje dhe arrestimi ndaj një grupi të pandehurish, të cilët janë të dyshuar të jenë përfshirë në një grup kriminal që dyshohen për kryerjen e veprave penale të krimit të organizuar, mashtrimit dhe ushtrimit të ndikimit”, thuhet në komunikatë, në të cilën nuk përmenden emra e as hollësi të tjera.
Por, avokati i deputetit Ukë Rugova ka përmendur se klienti i tij po dyshohet edhe për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Ndërkohë, burime brenda Policisë së Kosovës thonë se bëhet fjalë për shitblerje vizash.
Pohohet se njëri nga të arrestuarit është zyrtar i Ambasadës italiane në Prishtinë, Florent Petani dhe Izet Beqiri nga Mitrovica.
Përveç Ukë Rugovës, edhe 7 të arrestuar
(e plotesuar) – Burime brenda Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se Policia e EULEX-it përveç Ukë Rugovës, ka arrestuar edhe shtatë persona të tjerë, që lidhen me rastin krim i organizuar.
Policia e Kosovës, e cila thotë se tani s’ka qasje fare në këtë aksion, po ashtu thotë se bëhet fjalë për shitblerje vizash. Pohohet se njëri nga të arrestuarit është zyrtar i Ambasadës italiane në Prishtinë, Florian Petani. Koha.net ka edhe emrin e një të arrestuari tjetër. Bëhet fjalë për Izet Beqirin, nga Mitrovica, një shok i Ukës.
Koha.net merr vesh se i arrestuari, Florian Petani, është zyrtar kryesor për viza në Ambasadën italiane në Prishtinë. Është shtetas i Shqipërisë, por, pas martesës me një kosovare, ka marrë edhe shtetësinë e Kosovës. Ai jeton në Fushë-Kosovë.
***
Arrestohet Ukë Rugova, dyshohet për krim të organizuar
Nga vendi i ngjarjes, gazetari i ‘Kohës Ditore’ njofton se Ukë Rugova është i arrestuar dhe se ende ndodhet në ambientet e shtëpisë së tij, në Velani, lagje të Prishtinës.
Bëhet e ditur se ka edhe të dyshuar të tjerë në lidhje me këtë rast, të cilët pritet që gjatë ditës të arrestohen.
Më herët, një prokuror i EULEX-it ka dhënë urdhër për arrestimin e Ukë Rugovës. Njoftimin e ka konfirmuar avokati i tij, Bajram Tmava. Ai i tha Koha. net se kërkesa e prokurorit është që Uka të ndalet për 48 orë. Avokati Tmava tha se EULEX-i dyshon djalin e ish-presidentit ë Kosovës, Ukën, për krim të organizuar e shpërdorim të detyrës zyrtare.
Avokati Tmava po ashtu tha se ka qenë i pranishëm gjatë bastisjes me kërkesën e të dyshuarit, Ukë Rugova. Ai nuk ka dhënë hollësi se për çfarë krimesh bëhet fjalë, por ka thënë se do të jetë avokati i tij.