Dardan Berishës i kanë mjaftuar tri ndeshje prej gjashtë sa janë zhvilluar në fazën e parë të FIBA Europe Cup për t’u konfirmuar si koshashënuesi më i mirë i kësaj faze, në të cilën u eliminua skuadra e Sigal Prishtinës.
Kështu ka shkruar FIBA në sajtin zyrtar të mërkurën.
Në tri ndeshjet e luajtura me fanellën e Prishtinës, Berisha ka pasur mesatare prej 27.7 pikëve.
Ai gjithashtu ka përfunduar në mesin e pesë lojtarëve që patën më së shumti asistime në kuadër të fazës së parë. Regjistroi 7.3 asistime për ndeshje.
Në mesin e pesë më të mirëve, vend ka pasur edhe për lojtarin tjetër të Prishtinës, plejmejkerin Divine Myles, që doli i treti me mesatare prej 22.3 pikëve për ndeshje.
“Mund të ketë qenë vetëm një përvojë jetëshkurtër, por Dardan Berisha pati një ndikim të madh për Sigal Prishtinën. 31-vjeçari shpërtheu në tri ndeshjet e para në të cilat realizoi të paktën nga 30 pikë. Reprezentuesit të Kosovës i mjaftuan vetëm tri ndeshje për të lënë pas vetes lojtarët e tjerë, që në këtë fazë patën nga gjashtë ndeshje. Berisha krahas pikëve të shënuara, u tregua edhe asistues i mirë, duke përfunduar i treti në listë për fazën e parë me 7.3 asistime për ndeshje”, thuhet në përshkrimin e FIBA-s.