Basketbollistët e Kosovës U-20 janë duke u përgatitur intensivisht për Kampionatin Evropian, Divizioni B, që mbahet nga 12 deri më 21 korrik 2019, në Matosinhos të Portugalisë.
Të përzgjedhurit e Ibrahim Karabegut janë duke u stërvitur dy herë në ditë, për të pasur një përfaqësim sa më të mirë në këtë garë shumë të rëndësishme.
“Kampionati ka përfunduar më herët dhe lojtarët kanë hasur në vështirësi fizike, megjithatë, jemi duke u stërvitur dy herë në ditë. Përgatitjet fizike po i mbajmë në Gërmi dhe Taukbashçe, derisa atë taktikë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë dhe në Obiliq. Gjithsesi lojtarët po japin maksimumin në stërvitje dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua”, është shprehur përzgjedhësi i Kosovës U-20 (meshkujt).
Kosova U-20 ka zhvilluar edhe një ndeshje miqësore me Maqedoninë Veriore, duke pësuar 68:67, kurse nga 21 deri më 23 qershor do të jetë pjesëmarrëse në turneun që mbahet në Shkup, ku do të ballafaqohet me Rusinë, Maqedoninë Veriore dhe Malin e Zi.