Gjithsej numri i vëzhguesve të BE-së në ditën e zgjedhjeve do të jetë 71, me shpërndarjen shtesë të vëzhguesve nga ambasadat lokale krahas 20 Vëzhguesve Afatgjatë dhe ekspertëve nga ekipet qendrore që kanë qenë të pranishëm në Kosovë për disa javë për të vlerësuar tërë procesin e zgjedhjeve.
Vëzhguesit vijnë nga 26 shtetet anëtare të BE-së si dhe Norvegjia dhe Zvicra.
Ditën e zgjedhjeve, vëzhguesit do t’i vizitojnë vendvotimet për të monitoruar hapjen e tyre si dhe procesin e votimit dhe numërimit. Pastaj, ata do të vëzhgojnë ankesat dhe parashtresat dhe shpalljen e rezultateve.
Pas ditës së zgjedhjeve, Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve do të lëshojë një vlerësim preliminar të procesit. Raporti përfundimtar, me rekomandime për zgjedhjet e ardhshme, do të publikohet në fillim të vitit 2014.