Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) sot ka mbajtur Konferencën për Media: “Barrierat e të bërit biznes në Kosovë”. Në këtë konferencë janë prezantuar katër barriera, të cilat i adresohen Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë.
***
Oda e Afarizmit të Kosovës
Kosova ende mbetet një nga vendet me më së paku investime në rajon edhe pse kemi bërë përparime në raportin e bankës Botërore. Sot do t’i prezantojmë katër barriera për të bërë biznes, të cilat i adresohen Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë:
Agjencioni Pyjor i Kosovës është administruese e mbi 42% të tokave pyjore në Kosovë, kështu që e bënë njërin nga faktorët kryesor në tërheqjen e investimeve.
Sot me politikat aktuale të APK, nëse një investues është i interesuar që të investoj në një zonë e cila administrohet nga APK. APK jep pëlqime vetëm deri në 5 vite dhe atë vetëm për ndërtim të përkohshëm. Cili biznes ka interes që të investoj në një zonë, ku kontrata për shfrytëzimin e kësaj toke është deri në pesë vite. Asnjë biznes nuk ka arsyeshmëri që të investohet në kontrata kaq afat shkurta.
Po ashtu APK pos që lëshon kontrata deri në pesë vite për shfrytëzim të tokës, ajo nuk jep me shumë së 5 hektar, çka e kufizon shumë biznesin në arritjen e qëllimeve të veta.
Barrierë tjetër që lidhet po ashtu më APK është edhe taksa 0.20 cent për m², taksë e cila ligjërisht do të duhej të mblidhej për ndërtim të përkohshëm e jo se si mblidhet sot. Një m² me çmimin e 0.20 cent se si mblidhet sot hektarin e bënë me kosto 2000 € për vit, nëse janë 5 hektar kostoja është 10 000 € për vit. Asnjë tokë bujqësore nuk e ka këtë vlerë e lëre më tokat të cilat administrohen nga APK dhe që merren nga biznesi në shfrytëzim, janë zona gurore.
Problemi i fundit që i adresohet APK dhe Komisionit për Miniera dhe Minerale është se: të dy institucionet taksojnë një taksë për rikultivim, taksë e cila është e dyfishtë dhe është barrë për biznesin.
Këto barriera të lartcekura më së shumti atakojnë bizneset që merren me shfrytëzimin e pasurisë nëntokësore dhe e ka për të pamundur zhvillimin e këtij sektori.
OAK rekomandon Qeverisë së Kosovës që Ligji për Agjencionin Pyjor të Kosovës të futet në procedurë amandamentimi, çka do të mundësonte që kërkesat e biznesit të marrin zgjidhje.