(2L ONLINE) – Dikur identifikohej Gjilani me të, vazhdon të jetë akoma pikë referimi për këdo që do të orientohet në Gjilan, por se për ata që jetojnë aty, nëse institucionet nuk ndërmarrin diç e ta trajtojnë si një lagje ku duhet investuar, atëherë ajo do të jetë veç se një “tunel i errtë” në vend se të jetë një lagje e këndshme për banim.
Është fjala për ndërtesën trembëdhjetëkatëshe që ndodhet në qendër të Gjilanit e që njihet nga të gjithë edhe si “Soliteri”. Gjendja në të cilën ndodhet tani është për faqe të zezë thonë banorët. Me dy ashensorë që nuk punojnë, pa ndriçimin e duhur publik nëpër korridore, me një kulm që se mban ujin, e ku janë të vendosura plotë antena duke e bërë që pamja të jetë mish-mash dhe të mos dihet kush vendos diçka lartë, e kush jo.
Në këtë ndërtesë jetojnë rreth 60 familje, por se sipas tyre, nuk ka rehati. Shembull edhe nga shiu i fundit që ra në Gjilan, kanë pësuar disa banesa që ndodhen në katet e sipërme. Familja Haziri e Familja Syla janë ato që jetojnë në katet më të larta por se përkundër renovimit që ia kanë bërë banesave të tyre, edhe atë jo veç njëherë, prapë se prapë shiu i fundit u ka bë “sherr” dhe të nevojshme për të investuar sërish, gjë që po u kushto në xhepin e tyre.
Në familjen Haziri e Syla thonë se kulmi nuk është në nivelin e duhur dhe ullukët nuk e marrin ujin, kështu që uji e gjen rrugën e tij dhe depërton në korridore e banesa duke i dëmtuar ato. Sipas tyre, edhe antenat e shumta që janë në kulm, lloj-lloj antene, nuk dihet se nga kush të vendosura, kanë bërë që të bëhet një lëmsh i madh atje.
Këto dy familje thonë se duhet institucionet përkatëse të reagojnë dhe ta rregullojnë edhe çështje e kulmit, antenave, por edhe të ndriçimit, si dhe të funksionimit normal të ashensorëve. Ashensori ka kohë që është prishur, njëri krah i tij është demoluar tërësisht, derisa tjetri krah rregullohet herë pas here me iniciativë të banorëve, por nuk shkon pak ditë e prishet sërish.
Edhe natën është problem në këtë ndërtesë sepse korridoret e pandriçuara paraqesin pasiguri dhe se në këtë kontekst, përmendet edhe rasti më i freskët kur një banues në njërën nga katet më të epërme, kishte pësuar nga hajnat që e kishin rrahur dhe plaçkitur pa e parë kush e pa mundur të kërkojë ndihmë.
Banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve komunale duke ditur se në këtë ndërtesë jetojnë rreth 60 familje pra është një lagje e tërë, sipas tyre dhe komuna duhet të marrë obligime sikurse edhe vet banorët, por çështja e kësaj ndërtese të rregullohet njëherë e mirë.
Ata kërkojnë që të definohet çështja e antenave që janë mbi kulmin e tyre, sikurse që kërkojnë të definohet edhe çështja e bodrumeve dhe e parkingut përreth ndërtesës që nuk dihet se kujt i përket, ngase aty gjithnjë ka kaos parkingu. Ata thonë se komuna do të duhej të qëndrojnë pranë tyre me projekte kapitale sepse edhe ata janë tatimpagues, janë qytetarë të Gjilanit dhe meritojnë të trajtohen njësoj me lagjet tjera të qytetit, ku bëhen investime në infrastrukturë.
Përndryshe, në fund të vitit 2009, pas tridhjetë e më shumë vitesh, ishte rinovuar për herë të pare Soliteri ku ishte bërë fasadimi i brendshëm, rregullimi i ashensorëve, parmakëve, ndriçimit, çatisë dhe pjesëve tjera, të cilat e kishin bërë të banueshëm siç duhet një objekt të kësaj përmase.
Thuhet se kjo ndërtesë për banim është lëshuar në përdori prej vitit 1978. /2L ONLINE/