Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë me dije se KQZ ka miratuar planin operacional për organizimin e raundit të dytë të zgjedhjeve.
Fushata zgjedhore për balotazhin do të jetë pesë ditë, nga 8 nëntori deri më 12 nëntor.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për miratimin e planit operacional për organizimin e raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, ku përfshihen të gjitha aktivitetet që do të realizohen nga KQZ për përgatitjen e këtyre zgjedhjeve. Fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët që do të garojnë në raundin e dytë, do të jetë 5 ditore, do të fillojë më 8 nëntor dhe do të përfundojë më 12 nëntor”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi,
Ai ka treguar se për votuesit nga jashtë që janë regjistruar nga 10 korriku deri më 18 gusht, KQZ-ja ka vendosur 15 ditë në dispozicion që t’i dërgojnë fletëvotimet e tyre përmes postës. Kjo do të fillojë nga 29 tetori, ndërkaq fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu deri më 12 nëntor.